E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndihma shtetërore

19/04/2005  Financime për ndërmarrje dhe individë në nevojë

Ligji është kopjuar nga kodi i KE dhe do të monitorohet prej tyre

Atë që nuk e bëjnë dot privatët dhe “VIP”-at e biznesit në një ekonomi tregu, duket se e bën “dora e fortë e shtetit”. Rastet kur fermerëve në Evropë u subvencinohen prodhimet, duke ia blerë me çmime të larta për të mos iu shkaktuar humbje, është një prej mundësive që ka shteti të “ndihmojë me ndihma” privatët, por dhe sektorët prioritarë të ekonomisë. Deri më sot, në Shqipëri, kjo lloj ndihme është njohur me subvencionet e pensioneve apo në arsim, por duket se tashmë termi do të jetë më i përgjithësuar dhe roli i shtetit më i ndjeshëm. Në një ekonomi tregu, pjesa kryesore e shërbimeve dhe prodhimit të të mirave materiale sigurohen nga sektori privat për rritjen e fitimit. Megjithatë mekanizimi i kurdisur nga “privatët”, jo gjithmonë funksionon dhe shpeshherë shtetit i duhet të tregojë forcën e rolit të vet për të rikthyer raportet e përmbysura në treg. “Ndërhyrja e shtetit mund të jetë në formën e masave të përgjithshme, si ulje e nivelit të taksave dhe sigurimi i shërbimeve bazë në arsim apo shëndetësi, por ka raste të tjera kur ndërhyrja mund të ketë karakter përzgjedhës, duke ndihmuar një ndërmarrje apo një sektor të veçantë”, ka sqaruar përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, Edlira Barre, drejtoreshë e Drejtorisë së Ndihmës Shtetërore. Sipas Barres, kjo lloj ndërhyrje, në shumë raste njihet me emrin subvencion, ose ndihmë shtetërore. Ministria e Ekonomisë ka përgatitur kuadrin ligjor dhe pas miratimit në Qeveri ka kërkuar dhe aprovimin e strukturave të parlamentit. Mbështetur në këtë kuadër ligjor që rregullon marrëdhëniet në treg, pretendohet që qeveria të ndërhyjë me strukturat e veta vendimmarrëse, sipas disa skemave të përcaktuara në Traktatin Evropian. Në kuptimin e traktatit, koncepti i ndihmës shtetërore është shumë i gjerë dhe nuk përfshin vetëm subvencionet, por dhe çdo formë ndërhyrjeje apo mbështetje shtetërore me efekte të ngjashme. Kështu, shteti ka parasysh kur ndërhyn për të ndihmuar financiarisht, ose për të subvencionuar një sektor, elementë të tillë si krijimin e një përfitimi, favorizim të ndëmarrjeve të vogla apo atë mesme, dhe këtë duhet ta bëjë mbështetur në rregullore. Gjendja e sotme e zhvillimit të ekonomisë së tregut në vendin tonë si dhe detyrimet që do të lindin nga marrëveshja e Stabilizim- Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, e bëjnë të domosdoshme përgatitjen e një kuadri ligjor për kontrollin e ndihmave shtetërore. “Nenet 70 dhe 71 të projektmarrëveshjes së Asociim–Stabilizimit, shprehin qartë nevojën e përgatitjes së kuadrit ligjor në fushën e ndihmës shtetërore”, tha drejtoresha e Drejtorisë së Ndihmës Shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Edlira Barre. Sipas projektligjit, strukturat shtetërore që do të kenë të drejtën të japin “ndihmë shtetërore”, janë në pushtetin qendror dhe atë vendor dhe mund të përdorin fondet publike për të ndihmuar ndërmarrjet që janë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. “Nuk përfshihen në ndihmën shtetërore sektorët e bujqësisë dhe të peshkimit, pasi për këto sektorë ndiqen politika të veçanta”, ka bërë të ditur drejtoresha e Ndihmës Shtetërore, Edlira Barre. Ligji parashikon, sipas drejtoreshës Barre, të gjitha hollësitë ku duhet të kalojë procesi i ndihmës për të moslejuar cënimin e konkurrencës ose rreziqe të tjera për ekonominë. Kështu, neni 7 i projektligjit parashikon të gjitha rastet kur ndihma shtetërore është e lejueshme, por kërkon gjithsesi një miratim paraprak. Kur ndihma ka karakter social dhe jepet për individë të veçantë, apo kur ndihma jepet për të shmangur efektet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, ose gjendjet e jashtëzakonshme.

KE, kontroll mbi ndihmat shtetërore

Të japësh ndihma pa shkaktuar konflikte, do të jetë një punë e vështirë dhe duket se qeveria në këtë moment do të monitorohet nga strukturat e KE-së. Duket se hartimi dhe zbatimi i projektligjit është një detyrim që vjen si rrjedhojë e marrëveshjes së asociim–stabilzimit dhe, qeverisë do t’i duhet të pranojë modelet e sugjeruara në kodin rregullator të KE-së. Modeli i zgjedhur duhet të sigurojë pavarësinë në kryerjen e detyrave dhe në marrjen e vendimeve, duke përmbushur detyrimet që shprehen në pikën 4 të nenit 71 të projektmarrëveshjes së Stabilizim–Asociimit. “Në çastin e pranimit, funksionet e kontrollit i kalojnë automatikisht Komisionit Evropian dhe struktura merr emrin e koordinuesit dhe të raportuesit në emër të qeverisë”, ka bërë të ditur Edlira Barre gjatë prezantimit të projektligjit në Komisionin e Ekonomisë. Specialistët që kanë adoptuar ligjin e KE-së, pranojnë se nuk ka një model ideal që të sigurojë kontrollin dhe cilësinë maksimale të procesit. “Ka patur mjaft debate se cili model i përgjigjet më mirë kushteve dhe veçorive të funksionimit të shtetit shqiptar”, ka sqaruar Edlira Barre, drejtoreshë e Drejtorisë së Ndihmës Shtetërore. Kështu, qeveria gjatë procesit të tranzitimit do të monitorohet nga KE-ja, por pas nënshkrimit të Stabilizim–Asociimit do të kontrollohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ajo.

Rreziku, ”ndihmat” mund të shtrembërojnë konkurrencën

Mendimi pozitiv për të ndihmuar një ndërmarrje me subvencionime apo duke ulur taksat, mundet të mos rezultojë dhe aq pozitiv nga momenti kur kjo lëvizje thyen konkurrencën. Ky është dhe problemi më i madh që qëndron mbi projektligjin dhe shprehet hapur nga specialistët, të cilët e mendojnë si të rrezikshme ndërhyrjen e shtetit në ekonomi. “Ndërhyrje të tilla të shtetit mbartin rreziqe serioze për gjithë ekonominë e vendit, duke çuar në ngadalësimin e rritjes së prodhimit në mungesë të kontrollit të kostos, frenimin e kërkimit të novacionit si dhe deformimin e tregut të punës”, ka sqaruar Edlira Barre. Ndërkaq, neni 4 ndalon çdo ndihmë shtetërore që shtrembëron apo tenton të kërcënojë konkurrencën, duke favorizuar një ose disa ndërmarrje në prodhimin e produkteve të caktuara. Ky nen, pavarësisht se është dispozitë ndaluese, në vetvete përmban parimin kryesor rregullues të projektligjit. Ideja bazë e këtij parimi është se çdo ndihmë e dhënë nga shteti, në mungesë të dështimeve të qarta të tregut, është e dëmshme për konkurrencën e tregut. “E shprehur më qartë, ndihma shtetërore në terma afatgjatë mund të çojë në përqëndrimin e një pjese të burimeve shtetërore në ndërmarrjet dhe sektorët joproduktivë”, sqaroi deputetët drejtoresha Barre. Format e ndihmës shtetërore

Grantet dhe subvencionet

Përjashtimin, uljen dhe diferencimin e taksave

Faljen e pagesave të prapambetura dhe gjobave

Faljen e borxheve dhe mbulimin e humbjeve

Garanci mbi kreditë dhe kredi me norma interesi të ulëta

Uljen e detyrimeve të sigurimeve shoqërore

Uljen e çmimit të produkteve të ofruara

Shitjen e pronës shtetërore nën çmimin e tregut

Blerjen e produkteve me çmim më të lartë se ai i tregut

Zmadhimin e kapitalit shtetëror ose ndryshimin e tij

Ndihma për ndërmarrjet e vogla e të mesme

Ndihma për investime, kur intensiteti nuk kalon 15 për qind të kostove shtesë të pranueshme

Ndihma këshillimore, jo më shumë se 50 për qind të kostos së këtyre shërbimeve, të cilat nuk duhet të jenë veprimtaritë e vazhdueshme dhe as të lidhura me shpenzimet e veprimtaris

Për pjesëmarrjen për herë të parë në panaire dhe ekspozita, kur ndihma nuk kalon 50 për qind të kostos shtesë për marrjen me qira, ngritjen dhe funksionimin e stendave

Ndihma për punësim

Intensiteti i ndihmës nuk kalon 15% të kostos së pagave për ndërmarrjet që punësojnë deri në 50 punonjës dhe 7.5% për ndërmarrjet që punësojnë 51 deri në 250 punonjës.

Intensiteti maksimal i ndihmës mund të rritet kur kontributi i përfituesit të saj është mbi 25 për qind

Ndihma jepet për punësimin e personave me aftësi të kufizuar në masën 60 për qind të kostos së pagave dhe 50 për qind për personat në vështirësi

Ndihma për trajnim

Në rastin e trajnimit të veçantë, kur intensiteti i saj nuk kalon 25 për qind të kostove të trajnimit për ndërmarrjet e mëdha dhe 35 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Në rastin e trajnimit të përgjithshëm, kur intensiteti i saj nuk kalon 50 për qind të kostove të trajnimit për ndërmarrjet e mëdha dhe 70 për qind për ndërmarrjet e vogla e të memse

Ndihma për kërkim dhe zhvillim

Ndihma për kërkim dhe zhvillim mund të jepet nëse intensiteti i saj i llogaritur mbi bazën e kostove të pranueshme të projektit nuk kalon:

100 për qind për kërkimin bazë, me kusht që rezultatet e kërkimit të shfrytëzohen nga të gjithë, mbi baza jodiskriminuese dhe sipas normave të tregut

60 për qind për kërkime industriale

35 për qind për kërkim parakonkurrues, përfshirë dhe transformimin e projekteve dhe rezultatave të kërkimit industrial, konceptimin ose projektimin e produkteve të reja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›