E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti CARDS, edhe 5 milionë euro për Shqipërinë

19/04/2005  KE ka shtuar grantin e ndihmës për Shqipërinë me një fond prej 5 milionë euro, duke çuar në 63.5 milionë euro ndihmën në dispozicion deri në 2011-ën. Kreu i BE-së, Lutz Salzman ka nënshkruar dje së bashku me ministren e Integrimit Evropian, Ermelinda Meksi, marrëveshjen për grantin shtesë. KE-ja jep një grant shtesë me një shumë totale prej 5 milionë euro, duke rritur kështu fondin e përgjithshëm nga 58.5 milionë euro në 63.5 milionë euro. “Kjo marrëveshje është në funksion të integrimit dhe do të zbatohet, pavarësisht se cila parti do të jetë në pushtet” është shprehur Lutz Salzman në lidhje me përdorimin e grantit, i cili e ka kohën limit të përdorimit deri në 2011-ën. Por duket se nuk do të ketë të tillë parametra për sa i takon procesit të asociim–stabilizimit, për realizimin e të cilit, BE-ja ka vendosur kushte të rrepta, një prej të cilave dhe përfundimi me sukses i procesit zgjedhor. Gjithsesi, fondi në dispozicion do të mund të përdoret nga tre ministri, ajo e Financave, Drejtësisë dhe Ministrisë së Rregullimit të Territorit. “Paratë jepen për drejtësinë dhe çështjet e brendshme për forcimin e kapaciteteve administrative dhe mjedisin e burimet natyrore”, ka bërë të ditur Ermelinda Meksi. Periudha e zbatimit të marrëveshjes financiare do të fillojë në momentin e hyrjes në fuqi të marrëveshjes financiare dhe do të përfundojë jo më vonë se data 31 dhjetor e vitit 2011.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›