E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritol pranë banesës së zyrtarit të Ministrinë së Rendit

18/04/2005  Dëmtohet makina e tij nga shpërthimi i fuqishëm. Ngjarja mohohet nga zyrtarët e policisë

TIRANË- Makina e një funksionari të Lartë të Ministrisë së Rendit Publik, është rrezikuar si pasojë e një shpërthimi tritoli. Ngjarja tepër e rëndë, ende nuk provohet si nga vetë zyrtari i rrezikuar, ashtu edhe nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit. Më konkretisht, bëhet fjalë për datën 15 prill të këtij viti, kur në rrugën "Don Bosko", plot 15 minuta para shpërthimit të 900 gramëve në shkallët e pastiçeri "Venecias", xhamat e njërës anë të makinës së këtij funksionari, janë thyer nga shpërthimi i një sasie të përafërt tritoli. Lajmi bëhet i ditur për "Metropol" nga burime të besueshme të Policisë së Tiranës. Sipas burimit dy shpërthimet kanë ndodhur në një distancë të vogël kohore prej 15 minutash, ç'ka do të thotë se veprimet kanë qenë të koordinuara, ndërkohë që nuk jepet asnjë detaj tjetër, duke qenë se të gjitha bëjnë pjesë në hetimet intensive të nisura nga një grup i posaçëm. Ky i fundit ka mundur të kryejë një punë të mirë, e cila ka shkuar drejt identifikimit të autorëve të ngjarjes, e cila, sipas burimeve, do të publikohet vetëm ditën e arrestimit të përgjegjësve.

Ngjarja

Burimet e Policisë së Tiranës thanë se ora shënonte 04.10 minuta, kur disa persona hodhën një sasi tritoli prej 900 gramësh, me fitil të ndezur, në rrugën "Don Bosko", fare pranë banesës së kreut të një sektori të rëndësishëm. Synimi i atentatorëve, sipas burimeve policore, nuk ka qenë eleminimi fizik i këtij funksionari, por vetëm një paralajmërim. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e banorëve të pallateve përreth, të cilët kanë lajmëruar të parët uniformat blu. Pas mbërritjes së efektivëve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës në vendin e ngjarjes janë mbledhur disa nga provat materiale që do të ndihmonin hetimet e organit të akuzës.

Hetimet

Deri më tani, hetimet e policisë e prokurorisë së Tiranës, janë shtrirë vetëm mbi pistën e paralajmërimit të këtij funksionari, emri i të cilit nuk publikohet për arsye etike. Ende nuk ka të dhëna konkrete mbi këtë ngjarje, që nuk konfirmohet nga asnjë nga zyrtarët e lartë të policisë, ndërsa nga burimet e Policisë së Tiranës, bëhet e ditur për gazetën se, janë mbledhur disa prova dhe materiale të mbetura në vendin e ngjarjes. Ndër to, përmenden disa pjesë të fitilit dhe të tritolit.

Policia: Nuk ka të dhëna për një ngjarje të tillë

TIRANË- "Nuk kemi asnjë dijeni për ngjarjen që jeni duke folur. Ditën e premte në orën për të cilën jeni duke folur, ka pasur vetëm një shpërthim dhe ky ka ndodhur përballë pastiçeri "Venecias". Kjo ishte me pak fjalë domethënia e përgjigjeve të disa prej autoriteteve policore të vendit, të cilat janë pyetur nga "Metropol" në rrugë telefonike. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit thanë për gazetën se deri më tani, nuk ka mbërritur ndonjë njoftim i tillë. Reagimi i autoriteteve policore ka të bëjë me mohimin e një ngjarjeje të tillë, ndonëse nga ana tjetër kanë filluar hetimet për zbardhjen e shpërthimit. Jo në pak raste, ngjarje të tilla janë mohuar nga policia dhe përgjigjia zyrtare gjithnjë ka ardhur në përfundimin e procedurave, nëse ka të arrestuar. Emrat e këtyre të fundit paraqiten në të gjitha mediat, sa herë që operacionet përfundojnë me sukses, ndonëse dështimet s'kanë qenë të pakta.

Zyrtari: S'di gjë për shpërthimin tek shtëpia ime

TIRANË- "Makinën time e ka pasur shoferi, natën për të cilën jeni duke pyetur"- u përgjigj zyrtari i lartë i Ministrisë së Rendit, i pyetur në rrugë telefonike nga gazeta "Metropol". Ai e mohon kategorikisht një ngjarje të tillë dhe shprehet se nuk ka dijeni për shpërthimin në fjalë. Posti i tij në dikasterin blu, është tepër i rëndësishëm, dhe në disa raste ai ka qenë në krye të disa prej aksioneve më të suksesshme që ka organizuar Policia e Shtetit në arrestimin e disa prej elementëve kriminalë, që kanë kryer vepra të rënda penale. Shpërthimi në fjalë që bëhet i ditur nga burime të Policisë së Tiranës, ka pasur si objektiv këtë oficer, ndërsa ai nuk ka pranuar asnjë nga elementët e ngjarjes. Gjithësesi do të jenë shërbimet policore ato që do të japin shpjegime rreth shpërthimit.

Policia zbardh bisedën e njërit prej autorëve të shpërthimit. Është 40 vjeç, me fytyrë të vrazhdë

"Në lokal do vijnë disa miq të mi"

TIRANË- Policia e Tiranës, ka mundur të identifikojë personin që ka marrë pjesë në vendosjen e lëndës ekplozive në shkallët e pastiçeri "Venecias". Burime jozyrtare të Policisë së Tiranës thanë dje për gazetën se, nga hetimet paraprake të uniformave blu, është mundur të bëhet një përshkrim i njërit prej këtyre personave. Sipas burimeve të policisë, ai nuk mund të ketë qenë më tepër se 40 vjeç, me rroba gri dhe fytyrë të vrazhdë. Personi në fjalë, sipas policisë, ka qëndruar disa minuta para shpërthimit, pranë shkallëve të pastiçerisë dhe ka shkuar të pyesë: "Hapur është lokali se do vijnë disa miq të mi për të pirë kafe", dhe më pas është larguar. Disa minuta më vonë, ka ndodhur shpërthimi, ku për fat të mirë nuk është dëmtuar seriozisht pastiçeria.

Misteri

Ndonëse ky fakt bëhet i ditur nga burime jozyrtare të Policisë së Tiranës, autoritetet zyrtare të saj, ende nuk kanë dhënë asnjë detaj rreth ngjarjes, duke u mjaftuar vetëm me fjalët "Jemi duke punuar për zbardhjen e plotë të identidetit të autorëve". Edhe pse nga burimet policore jepen detaje e përshkrime të njërit prej autorëve të shpërthimit, emri i 40-vjeçarit që pyeti për pastiçerinë, ende nuk është bërë i ditur. Policia në fakt, ka grumbulluar disa të dhëna rreth kësaj ngjarjeje dhe disa nga materialet janë dërguar në prokurori, ndonëse dosja nuk është kompletuar. Mungesa e kasetës në kamerën që survejonte hyrjen në pasticeri "Venecia", e ka vështirësuar zbulimin e autorëve të shpërthimit. Monitorët e kamerave të shumta të lokalit, gjenden në një dhomë në pallatin pas Stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa". Duket një koinçidencë që autorët e shpërthimit të fuqishëm të orës 04.20 të mëngjesit të së premtes, kanë "sulmuar" pikërisht në këtë drejtim. Ndërsa kamera e vendosur nga hyrja e pasme, pikërisht pranë parkingut me pamje nga Piceri "Juvenilja", ka regjistruar vetëm sekuenca me tymin e ngritur, pa "kapur" personin që vendosi pakon-bombë

Hetimet

Sipas burimeve të policisë, është përcaktuar sasia e lëndës shpërthyese, e cila nuk i kalon 900 gramët dhe janë marrë në administrim disa prova, ku mes tyre përmenden disa pjesë të fitilit dhe dinamitit. Janë riparë edhe njëherë deponimet dhe alibitë e rreth 24 personave të shoqëruar ditën e ngjarjes. Deri në orët e vona të mbrëmjes burimet nuk bënin të ditur të kishin siguruar ndonjë pistë të saktë hetimi apo të dyshuarish konkretë për ngjarjen. Sipas policisë, po verifikohen disa persona.

Eksplozivi te "Venecia" katër ditë më parë

TIRANË- Nëntëqind gramët e tritolit shkaktuan një shpëthim të fuqishëm në shkallët e bar-pastiçeri "Venezias". Në orën 04.30, të katër ditëve më parë disa persona ende të paidentifikuar ndalojnë makinën përballë shkallëve të barit dhe hedhin me shpejtësi një pako me tritol. Fitili ndezës, sipas burimeve policore, u dogj në një kohë relativisht të shkurtër dhe shpërthimi që ai shkaktoi ishte i fuqishëm. U dëmtuan pjesërisht disa shkallë të pastiçerisë, xhamat e saj dhe disa vazo me lule, të cilat ndodheshin jashtë. Banorët e zonës përreth janë tmerruar nga zhurma e madhe dhe menjëherë dolën nga banesat e tyre për të parë ç kishte ndodhur. Tymi i dendur, ciflat e xhamave e shkallëve dhe ç akordimi i veprimeve paraprake të policisë ishin disa nga pamjet që paraqitej dje në vendngjarje, ndërsa uniformat blu të komisariatit numër 1 mbërritën në vendngjarje disa minuta më vonë. Grupi hetimor i ngritur posaçërisht për këtë ngjarje i shtriu hetimet në disa pista të mundshme, pasi për këtë ngjarja kishte vështirësi në grumbullimin provave të mjaftueshme. Kështu që u morën parasysh të gjitha dëshmitë e mbledhura në vendngjarje. U shoqëruan në polici të gjithë rojet privatë që ndodheshin me shërbim tek aktivitetet private që ndodheshin tek kjo zonë dhe u administruan dëshmitë e tyre. I pyetur nga "Metropol" Drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi tha se "Sasia e tritolit nuk ka qenë e vendosur paraprakisht në shkallët e bar "Venecias". Ajo është hedhur me shpejtësi në to nga persona për të cilët po punohet për identifikimin e tyre. Policia po punon me seriozitet për zbardhjen e ngjarjes dhe të personave që fshihen pas tij". Prononcimi i Drejtorit të Policisë së Tiranës, Albert Dervishi tregon më së miri faktin që tashmë është pranuar edhe nga grupi hetimor që ishte në vendngjarje, atë të një paralajmërimi, pasi pastiçeria nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim serioz, përveç thyerjes së disa xhamave, shkallëve dhe vazove të luleve që ndodheshin jashtë.

28 shkurti, C4 me telekomandë në ashensor

TIRANË- Pasi kishin kaluar 40 minuta nga mesnata e 28 shkurtit të këtij viti Vadin Lamaj, i shoqëruar nga miku i tij i fëmijësië Artan Arzi, humbën jetën nga një shpërthim i fuqishëm me eksploziv C4, të komanduar me celular. Si pasojë e shpërthimit mbeti i vdekur në vend presidenti i federatës së boksit, Lamaj dhe u plagos shumë rëndë Arsi, i cili më vonë vdiq rrugës për në spital. Sasia e eksplozivit ishte vënë në pjesën e sipërme të ashensorit, në një çantë. Zhurma e fortë zgjoi gjithë banorët e pallatit, të cilët zbuluan të plagosurit dhe u rrekën ti jepnin ndihmën e parë. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pak minuta më pas, por gjithçka kishte marrë fund. Ndërsa uniformat janë përballur me pamjen rrëqethëse që ofronte trupi i pajetë i Lames, Arzi u dërgua në spital. 35-vjeçari humbi jetën gjatë rrugës. Paskëtaj, në kullën shumëkatëshe mbërritën dhe familjarë të viktimave, të lajmëruar nga banorët e pallatit. Për grupin hetimor ishte shumë e vështirë të kryente veprimet në një skenë të tillë. Të njëjtat burime saktësojnë se vendi ishte mbuluar i gjithi nga gjaku dhe kasa e ashensorit ishte copëtuar keqas, deri në shpërbërje. Për këtë ngjarje kaq tragjike janë zhvilluar hetime intensive nga prokuroria, e cila deri më tani nuk ka arritur në ndonjë përfundim zyrtar, përveç grumbullimit të disa provave të rëndësishme.

Atenati i dështuar te “Don Bosko”,viktimë autori Enver Rabiaj

Mëngjesin e 5 marsit të këtij viti një shpërthim i fuqishëm eksplozivi tronditi banorët e njën pallati në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë. Policia gjeti në vendngjarje kufomën e shkrumbuar të një personi që për afro një muaj mbeti i paidentifikuar. Sipas policisë dhe prokurorisë, dyshohet që eksplozivi të ketë qenë i familjes C4. Ndërsa viktima dyshohet të ketë qenë nisur për të kryer një atentat, i cili dështoi duke i marrë edhe jetën. Nga hetimet e deritanishme dyshohet që objekt i atentatit të ketë qenë një ish-zyrtar i policisë. Ka qenë nën e viktimës, ajo e cila ka kryer identifikimin zyrtar të tij. E moshuara Lute Rabiaj është paraqitur në polici dhe ka kërkuar të shikonte kufomën e viktimës së “Don Boskos”. Ajo menjëherë e ka njohur të irin Enver Rabiaj, duke pohuara para hetuesve se ai ishte djali i saj i vetëm, pasi i madhi, Bardhi ishte vrarë në vitin 1997. Viktimës së “Don Boskos” iu gjet një kartë telefonike nga ku u identifkuan edhe tre lushnjarët të cilët u arrestuan si persona që pengonin zbardhjen e të vërtetës. Tre të rinjtë lushnjarë u dyshuan si persona që kishin dijeni mbi ngjarjen pasi ata kishin kryer thirrje telefonike me numrin që iu gjet viktimës Enver Rabiaj. Por nga verifkimet e tabulateve u konkludua se ata nuk kishin biseduar natën e ngjarjes. I vetmi person që dyshohet të ketë biseduar me Rabiajn natën e ngjarjes, është Leonard Prifti, një prej të akuzuarve si pjesëtar i Bandës së Lushnjës, që gjykohet në mungesë për vrasje. Kanë qenë disa shenja plumbi që i kishin mbetur në shpatull dhe në këmbë Enver Rabiajt, që kanë zyrtarizuar identifikimin e tij nga e ëma, Lutja. Ai ishte plagosur ditën që ishte vrarë i vëllai, Bardhi. Lute Rabiaj ka pohuar se Bardhi Rabiaj dhe vëllai i Alfred Shkurtit, janë vrarë në të njëtën ditë. Madje në vendin ku ata janë ekzekutuar, janë ndodhur edhe i ashtëquajturi Aldo Bare(Alfred Shkurti) dhe dhe Enver Rabiaj. Por, këta dy të fundit kanë mundur të shpëtojnë dhe vetëm Enveri ka marrë dy plagë një në shpatull e një në këmbë.

Dyshimi, tre ngjarjet që goditën Lamajt kanë lidhje mes tyre

Prokuroria dhe policia po hetojnë për një lidhje të mundshme mes atentatit ndaj Vajdin Lames dhe shpërthimit të tritolit dy ditë më parë në shkallët e pastiçeri “Venecias”, që është pronë e kësaj familje. Kjo, pasi nga aktekspertimi i vendit të ngjarjes, është konkluduar që eksplozivi të jetë hedhur në shkallët e këtij lokali që është pronë e familjes Lame. Policia ka hedhur dyshimet se kjo ngjarje mund të jetë një kërcënim për Lamajt, të cilëve jo më shumë se një muaj e gjysmë më parë iu eksekutua i dashuri i tyre, biznesmeni Vajdin Lamaj, ish-President i Federatës së Boksit. Gjithashtu, policia dyshon që të fshihet e njëta dorë prapa të tre ngjarjeve. Hetimi për vendosjen dhe shpërthimin e eksplozivit te “Venecia”, po drejtohet nga Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Ndërsa ende nuk është bërë e mundur të identifikohen personat që kryen aktin. Policia e kryeqytetit dhe prokurororia ka hedhur dyshimet se shpërthimi i eksplozivit dy ditë më parë te “Venecia” mund të ketë lidhje me dy atentatet kundër Vajdin Lamajt. Pritet që dosja hetimore për këtë ngjarje t’u bashkohet dy të tjerave. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Metropol”, nga burime të Policisë së Tiranës, të cilat sqaruan se është konkluduar zyrtarisht se objekt i eksplozivit ka qenë bar-pastiçeri “Venecia”. Burimet pohojnë se po hetohet mbi shkakun e këtij shpërthimi që dyshohet të jetë një kërcënim ndaj familjes Lamaj. Ato shtojnë se pritet që kjo ngjarje t’u bashkangjitet dy atentateve ndaj Lamajt. Kjo pasi dyshohet që shpërthimi i dy ditëve më parë të ketë qenë vazhdimësi e goditjes së familjes Lamaj. Por, ende policia dhe prokuroria nuk ka arritur të gjejë motivin e këtyre ngjarjeve apo të paktën një person të dyshuar, theksojnë burimet. Ndërkaq, mësohet se shpërthimi i dy ditëve më parë te “Venecia” po hetohet edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që ka në dorë dy dosjet e atentateve. Kjo për shkak të dyshimit të lidhjes mes ngjarjeve dhe kopetencës së kësaj prokurorie për shpërthimet e lëndëve plasëse.

Shpërthimi "i mbuluar" në rrugën "Don Bosko"

TIRANË- Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar rreth orës 21.00, të disa ditëve më parë në rrugën "Don Bosko". Në vendngjarje ka mbërritur një grup pune, i përbërë nga specialistë të kriminalistikës në Policinë e Tiranës, të cilët kanë marrë në pyetje paraprakisht banorët e lagjes, të cilët sinjalizuar këtë shpërthim. Zhurma e madhe u dëgjua përballë redaksive të televizionit "Vizion Plus" dhe së përditshmes "Shekulli", ndërsa ky është i vetmi rast ku nuk ka mbetur asnjë gjurmë që mund të çojë në një pistë paraprake. Në vendin e ngjarjes ishte i pranishëm edhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi, i cili u shpreh për gazetën "Metropol" se "Nuk kemi të bëjmë me ngjarje kriminale". Njëra prej pistave, sipas policisë është ajo e shpërthimit të një kallbi nëntokësor, ndonëse në vendin ku u dëgjua shpërthimi nuk kishte asnjë shenjë. Aty ishte një kabinë elektrike, e cila dukej e paprekur, ndërsa energjia nuk u ndërpre për asnjë çast. Një nga banorët e lagjes u shpreh për ekspertët e policisë se kishte parë dy persona me maska, të cilët pasi hodhën nga dora një send, u dëgjua shpërthimi i madh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›