E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihmoi vrasësin e tre vëllezërve, vetëvaret

 DEVOLL/ GEZIM ASHIMITragjedia e Vidohovës shënon viktimën e katërt. Ngjarja tronditëse, e ndodhur disa ditë më parë u pasua me një tjetër, të paparashikuar.Viktima është Ismet Musabej, 67 vjeç, komshi i vrasësit të trefishtë, Besim Karaj. Sipas policisë, i moshuari i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Shkak i vetëflijimit dyshohet të jetë frika dhe pendesa, pasi 67-vjeçari kishte qenë i vetmi person në fshat që e kishte ndihmuar vrasësin të largohej. Sipas policisë, Ismet Musabej është gjetur i vetëvarur në kasollen e bagëtive mëngjesin e së dielës. I moshuari, ka kryer vetëflijimin në momentet kur ai ndodhej i vetëm në banesë, pasi e shoqja ishte e shtruar në spital. Policia lokale, e cila është vënë në dijeni për vetëvarjen e 67-vjeçarit, ka bërë edhe një lidhje të mundshme të shkakut me vrasjen trefishtë të vëllezërve Taulant, Xhiljan dhe Edlevan Mulliri. Burime nga policia e Devollit bënë të ditur se viktima Ismet Musabej, dyshohet se e ka kryer vetëvarjen në kushtet e tronditjes së rëndë psikologjike dhe frikës, pasi ai ishte përfshirë si dëshmitar për të sqaruar rrethanat e largimit të Besim Karajit, pas vrasjes së tre vëllezërve Mulliri. Sipas të dhënave të policisë, Besim Karaj, komshi me 67-vjecarin, pasi kreu krimin ka kërkuar ndihmë tek i moshuari. Policia tha se janë konstatuar gjurmë të autorit të krimit në afërsi të banesës së Musabejit. Hetimet e policisë zbuluan më pas se Ismet Musabej i ka dhënë një palë çizme dhe ushqime Besim Karajit, kur ky po largohej nga fshati Vidohovë. Një zyrtar i komisariatit të Devollit, bëri të ditur se për këto rrethana i moshuari ishte thirrur si dëshmitar, por nuk ishte vënë nën akuzë për favorizim apo përkrahje të autorit të vrasjes së trefishtë. I moshuari duket se e ka përjetuar keq ndihmën që i ka dhënë fqinjit të tij, Besim Karaj. Banorët e Vidohovës deponuan për grupin e hetimit se ditët e fundit gjendja e 67- vjetarit ishte e rënduar dhe ai dukej mjaft i frikësuar për ndonjë akuzë të mundshme ndaj tij. Mësohet se viktima ishte martuar për herë të tretë me një grua rreth 40 vjeçe nga veriu, me të cilën nuk kishte arritur të kishte fëmijë. E shoqja ndodhej në spital, ndërsa ai e përjetonte çdo ditë e më keq ngjarjen për të cilën ende nuk ishte shuar jehona në fshatin Vidohovë, aq më tepër kur u mësua nga bashkëfshatarët e tij se ai i kishte dhënë edhe ndihmë pas masakrës së rëndë Besim Karajt. Gjatë marrjes në pyetje si dëshmitar, mësohet se 67-vjeçari ka sqaruar se e ndihmoi Besim Karajin nga fakti që e kishte komshi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›