Topi nuk firmos ligjin "Për faljen"
ADI SHKEMBI
Presidenti Bamir Topi nuk dekreton ligjin "për faljen", të miratuar vetëm me votat e maxhorancës në Kuvend, duke e lënë atë të hyjë në fuqi automatikisht. Pas përplasjeve të fundit, ku shumica ka rrëzuar dy gjyqtarët e propozuar nga kreu i shtetit për në Gjykatën e Lartë, ky i fundit nuk ka pranuar të hedhë firmën në një ligj të propozuar nga qeveria dhe që vendos një procedurë të re mbi procesin e faljes së dënimit të të burgosurve. Heshtja e presidentit, në fakt parashihet në nenin 84 të Kushtetutës: "Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni dhe në paragrafin 1 të nenit 85". Ligji "për faljen" u miratua në Parlament, në seancën e 1 korrikut dhe dy ditë më vonë ai iu dërgua kreut të shtetit për t'u firmosur. Burime zyrtare nga Presidenca bëjnë të ditur për gazetën "Panorama", se Topi ka pasur afat deri në 23 korrik për të hedhur firmën mbi këtë ligj, por ai ka vendosur të mos e dekretojë, duke e lënë të hyjë në fuqi pas kalimit të këtij afati. Kjo nuk është hera e parë që kreu i shtetit ka ndjekur këtë rrugë për të shprehur mosaprovimin e tij për ligjet e miratuara nga Parlamenti. Më parë, në janar të vitit të kaluar, Topi nuk firmosi ligjin për "Pastrimin e figurave të zyrtarëve të lartë" ose siç quhet ndryshe, ligji "për dosjet", por e la atë të hynte në fuqi 20 ditë pasi Kuvendi ia kishte dërguar për dekretim. Në këto tri vjet në postin e Presidentit, Topi ka rrëzuar dy ligje të Parlamentit, të cilat kanë të bëjnë me legalizimet dhe Kodin Zgjedhor.
Ligji për faljen
Ligji përcakton kriteret e reja, si dhe procedurën për të përfituar amnisti të plotë të viteve të burgut ose të uljes së dënimit. Sipas këtij ligji, çdo i dënuar, tashmë nëpërmjet avokatit të tij, mund të bëjë kërkesë për falje në Ministrinë e Drejtësisë për të përfituar. Ministria ia kalon dosjen Presidentit të Republikës, i cili mbetet autoriteti i vetëm i shtetit, që mund të japë vendimin. Sipas relacionit të qeverisë, referuar legjislacioneve të vendeve të zhvilluara, projektligji "për faljen" shprehet se: "Në të gjitha këto vende, madje në kuadrin e normës kushtetuese, është parashikuar e ashtëquajtura "kundërfirmosje" e ministrit përkatës.
dekretet
Ligjet e kthyera
Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për legalizimet"
Kodi Zgjedhor
Ligje që jane miratuar në heshtje
Ligji për dosjet
Ligji për faljen