PD-PS, sot "beteja" për SHISH-in
Aristir Lumezi
Rikthehet sot debati për SHISH në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion. Dhe pse në rendin e ditës konferenca e kryetarëve ka vendosur që të diskutohet dhe miratohet buxheti nen për nen, e gjithë vëmendja është përqendruar sërish, ashtu si në seancën e fundit, te ligji për SHISH-in. Ende nuk dihet saktë nëse PD do ta përfshijë në rendin e ditës së seancës së sotme, por i pyetur nga gazeta "Panorama", nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço tha se sipas rregullores të gjitha projektligjet që nuk u diskutuan seancën e kaluar, duhet të përfshihen në seancën e fundit të këtij sesioni. Burime nga grupi parlamentar socialist, që nuk donin të identifikoheshin, thanë dje se "deputetët socialistë do të qëndrojnë në sallë për të mbrojtur ligjin e SHISH, me të gjitha mjetet demokratike". Gjatë seancës së kaluar, socialistët bllokuan për disa minuta foltoren e Parlamentit, duke mos lejuar zhvillimin normal të seancës, duke kërkuar heqjen nga rendi i ditës të ligjit për SHISH. Socialistët i kërkuan maxhorancës disa ditë kohë, deri në seancën e sotme të së hënës, për t'u njohur me ligjin, pasi ata nuk kanë qenë prezentë në Kuvend, kur ky ligj është diskutuar në komisionet parlamentare, për shkak të bojkotit të Parlamentit. Por nga ana tjetër, ata e refuzojnë miratimin e këtij ligji për shkak se kundër tij kanë dalë NATO dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që janë shprehur se "SHISH duhet të mbetet profesional, i pavarur e i lirë nga ndërhyrjet politike". Nga ana e maxhorancës, ende nuk dihet nëse ligji do të futet për miratim në seancën e sotme, pasi kjo do të varet nga votat e LSI-së për këtë ligj. Vetë kreu i LSI-së, Meta është shprehur pro vendosjes së mandatit për kryetarin e SHISH, por dhe për këtë pikë ka kërkuar konsultimin me zyrat e NATO-s. Nuk dihet saktë nëse maxhoranca do të përfshijë në seancën e sotme amendamentin e deputetit demokrat Fatos Hoxha, i cili kërkonte shkarkimin e kreut të SHISH dhe vendosjen e një mandati për drejtuesin e shërbimit, apo miratimin e draftit të plotë të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me SHISH. Në mbledhjen e komisionit të sigurisë, të kërkuar nga kryetarja e Kuvendit, për të diskutuar rreth amendamentit të deputetit demokrat, tre anëtarë të tij, deputetë të PD-së, votuan kundër vendosjes së mandatit të kreut të SHISH, duke e argumentuar votën e tyre në mbrojtje të marrëdhënieve të mira që vendi ynë ka me aleancën euroatlantike. Qeveria miratoi në mbledhjen e 20 janarit projektligjin për ndryshimin e ligjit të Shërbimit, por ky akt i saj solli reagimin e SHBA, BE dhe NATO, të cilat kërkuan që drafti të konsultohet me organet e tyre të specializuara, përpara se ta kalojë në Kuvend. I pari që foli publikisht ishte Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, i cili deklaroi se SHBA është e shqetësuar me këtë draft, duke e cilësuar të cenuar pavarësinë e këtij institucioni. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i NATO-s. Aleanca i dërgoi një letër Qeverisë shqiptare, ku i bënte thirrje që të mos miratojë në Parlament ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror, pa u konsultuar më parë me ekspertët ndërkombëtarë, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rassmusen, i telefonoi Kryeministrit Berisha lidhur me këtë çështje. Por në seancën e ditës së sotme pritet të kalojnë dhe të gjitha kodet që nuk mundën të kaloheshin në seancën e fundit, fati i të cilëve është i dyshimtë për shkak se debati për SHISH refuzon votën pro të opozitës për to. Kodet kërkojnë 84 vota, aq sa dhe ligji për ngritjen e Gjykatës Administrative, e cila mbeti në Parlament që prej seancës së fundit të legjislacionit të kaluar para zgjedhjeve të 2009.
Rendi i ditës së sotme
Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9720, datë 23.4.2007, 'Për auditimin e brendshëm në sektorin publik'".
Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 26.10.1998 'Për Shërbimin Informativ të Shtetit', të ndryshuar".
Rishikimi i Buxhetit nen për nen
Projektligj "Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative".
Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 'Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë', të ndryshuar".
Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 'Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë', të ndryshuar".
Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, 'Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë', të ndryshuar".
Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 'Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë'".
Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.01.1999 'Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë', të ndryshuar".
Projektligj "Për një shtesë në ligjin nr. 10.040 datë 22.12.2008 'Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë'".
Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 'Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë'".
Interpelancë me Ministrin e Jashtëm Ilir Meta