E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ndiz dhe ti një qiri”, pas 4 vetëvrasjesh minorenësh

05/05/2005  Nxënësit e shkollave në tubim kundër vetëvrasjeve

FIER - Qindra nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, publike dhe jopublike të qytetit Fier, rreth orës 11 të ditës së djeshme janë grumbulluar për t’u tubuar së bashku kundër fenomenit të vetëvrasjeve, me moton dëshirës për të jetuar jetën. Tubimi është zhvilluar me iniciativën e vetë prefektes së Qarkut Fier, Rajmonda Stefa dhe është mbështetur nga Parlamenti Rinor lokal, në bashkëpunimin të ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Arsimit Fier dhe psikologët e shkollave të qytetit Fier. Në qëndër të qytetit të Fierit, në borduren e hotel turizmit është vendosur një banderolë e bardhë e gjatë 6 metra, në të cilën janë shkruar mesazhe për jetën nga të gjithë pjesëmarrësit. Janë ndezur qirinj duke përcjellë tek njerëzit mesazhin “Mos lejo që flaka e jetës të shuhet!” dhe mesazhi tjetër ka qenë “ndiz dhe ti një qiri!” Drejtuesit e Parlamentit Rinor lokal, pohojnë se qëllimi i këtij tubimi ka qenë përcjellja e mesazhit të dashurisë për jetën kundër fenomenit aq të përhapur kohët e fundit, atë të vetëvrasjeve. Duke marrë parasysh faktin që ky fenomen fatkeqësisht ka prekur moshat e fëmijëve, organizatorët e tubimit menduan që përbërësit e tij të ishin pikërisht nxënësit e shkollave. Vetëm dy muajt e fundit në zonën e Fierit kanë ndodhur katër vetëvrasje fëmijësh, nxënës të shkollave 9-vjeçare, vetëvrasje të kryera këto në emër të sakrifikimeve absurde, apo të shtyra nga gjendje jo normale psikologjike. Në tubim morën pjesë prefektja Stefa, shoqëruar nga drejtues të pushtetit lokal, të arsimit në qytet, mësues të shkollave të qytetit. Sipas drejtuesve të Parlamentit Rinor, tubimi ia arriti qëllimit, pasi në të morën pjesë qindra nxënës shkollash, të cilët u sensibilizuan për pasojat negative të fenomenit të vetëvrasjes, dhe për të jetuar jetën. "Për të luftuar fenomenin e vetëvrasjes është shumë e vështirë, është shprehur për gazetën drejtuesja e Parlamentit Rinor, por ne do të punojmë sa më shumë me psikologët e shkollave. Nxënësit e shkollave në këtë tubim kanë mbajtur parulla, ku shkruanin "Të duam jetën", "Jetoje jetën", “Jeta është dhuratë nga Zoti dhe duhet ta jetojmë" etj. Ky tubim shënon të parin në llojin e vetë pas atyre politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›