E Diel, 1 Nëntor 2026

Thesari bllokon paratë e Bashkisë

05/05/2005  Zyra e Përmbarimit ka bllokuar 2 milionë lekë, që pretendohen se janë marrë në ’96 nga “VEFA”

SHKODËR – Thesari i Shtetit ka dy javë që ka bllokuar të hollat e Bashkisë së Shkodrës. Të hollat për këtë bashki nuk qarkullojnë për shkak një bllokimi, që është bërë nga Zyra e Përmbarimit për një shumë parash të marra nga Bashkia Shkodër, rreth 9 vjet më parë pranë firmës piramidale “VEFA”.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryetari i Bashkisë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak Shkodër, kryetari i Bashkisë, Artan Haxhi, u ka bërë të ditur këshilltarëve në sallë dhe mediave të pranishme, se ka 14 ditë që Thesari ka bllokuar paratë dhe Bashkia e Shkodrës nuk mund të kryejë asnjë veprim që ka të bëjë me tërheqjen e parave nga dega e thesarit Shkodër.

Bllokimi

I interesuar për këtë çështje në degën e Thesarit, Haxhi ka marrë përgjigjen se bllokimi i parave ka ardhur si rezultat i një urdhri nga Zyra e Përmbarimit, i dalë si rezultat i mospagesës së një debiti të Bashkisë Shkodër, të marrë te firma piramidale VEFA, që në vitin 1996. Kryebashkiaku Haxhi është shprehur se bëhej fjalë për një shumë prej 2 milionë lekësh të reja, për të cilën nuk ka pasur dijeni asnjëherë, madje as nuk ka pasur ndonjë dokument të mbartur që ta vërtetojë marrjen e kësaj shume nga Bashkia në atë vit që pretendohet. Megjithatë, është shprehur Haxhi, për të qenë më i sigurt kam kontaktuar direkt me administruesin e firmave piramidale, Farudin Arapin për të sqaruar se si dhe sa qëndron ky problem. Përgjigjja e marrë nga Arapi, ka sqaruar Haxhi, se në listat e debitorëve të kompanisë VEFA, nuk figuron emri i Bashkisë Shkodër.

Pasojat

I indinjuar për këtë vendim të padrejtë dhe të pabazuar, Haxhi është shprehur se nuk është aspak normale që të mos lajmërohemi për një veprim bllokimi të tillë, të cilin duhej ta merrnim vesh vetëm kur është kërkuar të tërhiqet vlera e parave për pagat e punonjësve të Bashkisë. Problemi është shqetësues, ka theksuar Haxhi, sepse për të paguar ato para, në qoftë se me të vërtetë do të vërtetohet debiti, duhet që të hiqen paratë nga një zë i buxhetit. Por tashmë ky veprim nuk mund të kryhet tani, pasi ka përfunduar miratimi i buxhetit të vitit 2005. Nga ana tjetër, ka theksuar dje numri një i Bashkisë së Shkodrës, nuk ka asnjë ligj që ndalon tërheqjen e parave për pagat e punonjësve. Sipas asaj çka është bërë e ditur dje, mësohet se ka qenë vetëm insistimi i Haxhit që ka bërë që të lëshohet “pe” në këtë pikë, duke arritur që të zhbllokohen vetëm paratë e pagave të punonjësve, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të jetë ende e bllokuar. Sipas burimeve zyrtare nga Bashkia mësohet se bllokimi i parave nga Thesari i Shtetit do të ndikojë mjaft negativisht në ecurinë e përditshme të punës së kësaj bashkie. Bllokimi i fondit në fjalë ka hapur gjithsesi mjaft probleme për bashkinë e kryeqendrës së Veriut, së cilës asnjëherë nuk i është akorduar një fond i mjaftueshëm për të mbyllur hallet e shumta që ka trashëguar në vite.

Rusi: Gjatë mandatit tim thesari bllokoi 10 herë fonde

Dëme të mëdha nga bllokimi

Sipas kyetarit të Bashkisë, Artan Haxhi, mostërheqja e parave do të ndikojë negativisht në shumë sektorë, ku operon Bashkia, si në pastrimin e qytetit, heqjen e ujërave të zeza, ndriçimin e qytetit etj. Haxhi është shprehur se, sido që të ishte problemi, paratë e pagave dhe të sektorit të investimeve të Bashkisë nuk duhet të ishin bllokuar kurrësesi. Ndërsa këshilltari bashkiak, Fatmir Arifi, është shprehur se, duke parë faktet, ky bllokim i parave është i qëllimshëm e politik, dhe nuk ka diskutim që është bërë nga qeveria e Fatos Nanos, në prag të zgjedhjeve të 3 korrikut, për të penguar punën e mirë që është, duke bërë kjo Bashki, me gjithë vështirësitë që ka. Lidhur me këtë borxh mbetën të habitur edhe ish-bashkiakët e tjerë, Ormir Rusi e Filip Guraziu, të cilët u shprehën se nuk kishin dijeni për detyrimin e bashkisë ndaj kompanisë VEFA me një shumë të tillë. Bllokimi i parave të Bashkisë Shkodër, nga dega e Thesarit nuk është fenomen që ndodh për herë të parë. Këtë e bëri të ditur ish- kryebashkiaku Ormir Rusi, i cili ka theksuar se gjatë mandatit të tij një veprim i tillë bllokimi është bërë 10 herë dhe gjithmonë në mënyrë të padrejtë.

Përmbarimi

“Bashkia në dijeni prej vitesh”

Në një kohë që Bashkia e qytetit të Shkodrës akuzon zyrën e përmbarimit për një vendim të padrejtë, kryetari i Zyrës së Përmbarimit Shkodër këmbëngulë në të kundërtën. Ai është shprehur dje se bllokimi i fondeve nga Thesari i Shtetit për borxhin e mbartur prej 9 vitesh është një problem i mbartur, dhe se vite më parë është vënë në dijeni kjo bashki. Vendimi është i formës së prerë dhe se Bashkia është e detyruar që ta paguajë atë shumë për të cilën është debitore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›