Qyteti i Mançesterit vajton
Surpriza të mëdha dhuroi faza e grupeve në Champions League këtë sezon. Skuadrat angleze, të cilat vitet e fundit i kishim parë t’i shkonin deri në fund kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Europë, këtë sezon janë përgjysmuar. Manccester Siti dhe Junajtid, luajtën ndeshjen e fundit në Champions për këtë sezon. Më e rëndë është gjendja për skuadrën e Aleks Ferguson pasi eksperienca që ka në këtë kompeticion nuk gjen asnjë lloj justifikimi. Ndërsa Siti, megjithëse ka shpenzuar shumë, sërish mbetet një skuadër e re, në formim e sipër. Madje edhe mediat britanike (kryesisht "The Sun") kanë sulmuar ashpër kryesisht skuadrën e Ferguson, të cilës i duhej vetëm një barazim përballë modestëve të Bazel për të kaluar grupin. Tashmë, rrugëtimin në Ligën e Kampioneve e vazhdojnë vetëm dy angleze, por asnjëra prej tyre nuk premton se do arrijë shumë larg. Megjithëse futbolli dhe veçanërisht Champions League mbart gjithmonë surpriza. Roberto Mançini mbeti jashtë Champions, por nuk ia mohon meritat e duhura patriotëve të tij të Napolit. “Mendoj se zakonisht me 10 pikë skuadrat kualifikohen, por në grupin tonë kjo nuk ishte e mjaftueshme. Napoli fitoi një pikë më shumë sesa ne dhe e meritoi kualifikimin”, u shpreh Mançini.