E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndizet lufta politike në juglindje, PD sulmon ashpër bashkinë

Prag fushata elektorale duket se ka ndezur motorët e saj edhe në qytetin e Korçës. Në fakt loja e deklaratave ka hapur siparin e kësaj fushate, ndërsa demokratët e mazhorancës kanë shantazhuar bashkinë dhe kryebashkiakun e saj z. Niko Peleshi për një imazh të shprishur të Korçës, ku sipas demokratëve infrastruktura rrugore është vajtuese. Në deklaratën për shtyp të selisë blu në Korçë bërë publike gjatë të premtes thuhet ndër të tjera se bashkia ka mbetur në investimet e të djathtëve para vitit 2005 ku nuk janë bërë më investime në infrastrukturë, madje më keq akoma qyteti është mbushur me rrugë me gropa dhe me baltë. Sipas demokratëve ky qytet është përbaltur i gjithi, ndërsa bashkia sipas tyre merret me festa duke harruar qëllimin e saj të vërtetë. Nga ana tjetër ka qenë vetë kryetari i bashkisë së Korçës Niko Peleshi i cili në një dalje të detyruar publike ka theksuar se gjatë qeverisjes së demokratëve është ndërhyrë në vetëm 15 mijë metra rrugë nga 60 mijë që ka bërë kjo bashki gjatë kësaj kohe nëpër të gjitha rrugët ndërlidhëse të qytetit. Madje investimi i projektit madhor të kanalizimeve të ujrave të zeza ka sjellë një lloj impakti në këtë drejtim, por situata do të jetë krejt ndryshe më përfundimin e këtij  investimi që do të thotë se do të kryhet një rikonstruksion i plotë i rrugëve, bulevardeve por dhe rrugëve me kalldrëm të dëmtuara si rezultat i këtyre punimeve. Kryebashkiaku Peleshi ka theksuar se demokratët nuk duhet të njollosin politikisht punën reale që është bërë nga institucioni  i bashkisë. Përsa iu përket festave ka theksuar Peleshi kjo ka qenë filozofia për ta bërë këtë qytet atraktiv edhe për  të tjerët, por dhe që korçarët në mënyrë të veçantë të shijojnë të mirat e tij. Birra Korça dhe kërnackat e famshme nuk mund të bëhen blu për shkak të kësaj politike denigruese ka vazhduar më tej i pari i bashkisë korçare. Sipas tij qytetarët e Korçës kanë të drejtë të gëzojnë të gjitha festat e bashkisë, ndërsa tensionet politike duhet të qëndrojnë jashtë këtij qyteti dhe nuk duhet të përbaltin imazhin e tij sa herë që i teket politikës, qoftë edhe në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›