Studimi në Gjykatën e Apelit Tiranë
Një nga gjykatat më problematike në Shqipëri është Gjykata e Apelit në Tiranë. Nga studimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë rezulton se një çështje zgjat mesatarisht 18 muaj. Shkak ishte mbingarkesa dhe zvarritjet e ndryshme, pasi numri i gjyqtarëve ishte shumë i ulët në krahasim me çështjet që mbërrinin. Studimi nxori në pah një sërë problemesh në këtë gjykatë, ku Ministria e Drejtësisë propozoi disa kohë më parë masa ndëshkimore për disa gjyqtarë. Gjithsesi duket se kjo gjykatë do të preket nga "reforma". Shtatë gjyqtarë të rinj do të fillojnë punë. Ata do të emërohen nga KLD-ja në bazë të performancës së tyre gjatë karrierës. Pas plotësimit të organikës parashikohet që në këtë gjykatë një çështje të përfundojë brenda dy muajve. Aktualisht në këtë gjykatë janë 18 gjyqtarë dhe deri në fund të muajit tetor do të shkojnë në 25. Me këtë numër parashikohet që gjyqtarët aktualë të çlirohen nga mbingarkesa dhe vendimmarrjet të jenë në zbatim të legjislacionit shqiptar.