Ndoka: Ideja e Islamit për reformën zgjedhore, një aventurë
Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, e ka cilësuar aventurë idenë e Kastriot Islamit për reformën zgjedhore. "Nëse kjo dëshirë e Islamit do të gjente mbështetjen e kësaj aventurë edhe nga PD, kjo është diçka mjaft e rrezikshme dhe ne duhet t‘i kundërshtojmë këto mënyra dhe nëse do të ketë tendenca për t‘i për të vazhduar në këtë qëndrim, ne do të mbajmë qëndrimet tona qofshin këto edhe reflektarë me ide të tilla të rrezikshme", tha Ndoka. Një prej ministrave aleatë të PD-së ka bërë me dije se i ka kërkuar Kryeministrit Berisha që të mbledhë tryezën e partive parlamentare për të pasur një debat dhe një qëndrim që do të dalë si rrjedhojë e kësaj tryeze dhe jo në bazë të nismave të njëanshme. "Nismat e njëanshme përfundojnë të njëanshme dhe nuk shtrohen për diskutim, ndryshimet kushtetuese dhe në Kodin Zgjedhor të kalojnë njëkohësisht për miratim në Kuvend", tha ai. Sipas Ndokës, partia që ai përfaqëson nuk ka ndonjë ngutje që të krijojë një hapësirë në Kushtetutë pa dhënë një Kod Zgjedhor dhe që ndryshimet kushtetuese të jenë një paketë e përbashkët me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Partitë e mëdha kërkojnë në këtë mënyrë që ndryshimet kushtetuese të bëhen në paketë, ndërsa partitë e vogla e kundërshtojnë këtë ide.