E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, thirrje qytetarëve për të dalë në protestë

Në afërsi të periudhës për fushatën elektorale, ngjarja e Gërdecit dhe aksidenti i biznesmenit Kosta Trebicka, vazhdon të jetë në qendër të preokupimeve të PS-së. Edhe pse për këto ngjarje shumë të përfolura, PS-ja ka dhënë deklarata të shumta, ajo kërkon të jetë përsëri në qendër të skenës politike, duke gjetur shkaqe nga më të ndryshmet për t’u vënë përpara arenës mediatike. Mimi Kodheli, zëdhënësja e kryesisë për PS-në, njoftoi shtypin se selia rozë u bën thirrje qytetarëve për t’u mobilizuar këtë të premte në një protestë kundër qeverisë. Sipas znj. Kodheli, “shqiptarët jetojnë në një ndjenjë të pasigurtë për jetën. Në këto orë të vështira për të gjitha familjet shqiptare, ne ftojmë të gjithë qytetarët për të manifestuar së bashku nën një zë të vetëm, të premten pasdite, për të drejtën tonë si qytetarë për siguri dhe drejtësi”. Por në deklaratat e tyre, zyrtarët e PS-së nuk harruan të lënë mënjanë sulmet personale dhe vazhdojnë të thonë se “Kryeministri duhet të kuptojë, dëgjojë e shohë se çdo shqiptar e shqiptare, i ri apo i moshuar, kërkon sot njëzëri një Shqipëri ku çdo njeri të respektojë ligjin, të ndihet i sigurt e ku ligji të veprojë njësoj për të gjithë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›