E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e drejtësisë mbledh krerët e sistemit në takim

23/10/2009  Topi fton politikën për dialog. Konferenca e EURALIUS, shtysë për reformat

TIRANË- Reformimi i drejtësisë ka qenë sërish në fokus të aktiviteteve me qëllim ndërgjegjësimin për një sistem më të fortë gjykimi dhe pavarësi nga politika. Kësisoj, gjatë një takimi mes gjykatësish e prokurorësh, Presidenti i Republikës ripërsëriti dje apelin ndaj partive politike për bashkëpunim dhe dialog si e vetmja rrugë për të realizuar reformat në sistemin e drejtësisë, aq të kërkuara dhe nga Bashkimi Evropian. Topi shfrytëzoi hapjen e konferencës për sistemin e drejtësisë të organizuar nga EURALIUS për të përçuar mesazhin e bashkëpunimit, si detyrim ndaj vendit, dhe detyrim ndaj zgjedhësve, për dy forcat politike kryesore në vend. Në konferencë merrnin pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama dhe zv/kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, të cilët parashtruan tezat e tyre në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë. Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë dhe ajo e Durrësit janë vendosur të jenë gjykata karriere. Këtë vendim e ka marrë Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Topi e Rama

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka qenë i qartë me mesazhet e tij, duke thënë se “Dihet se vetëm bashkëpunimi mes forcave politike do të realizojë ligjet për gjyqësorin. E vërteta është se reforma në drejtësi në disa raste ecën me intensitet në disa raste ndërpritet. Ka raste kur politika bie dakord brenda 24 orësh për ndryshime shumë të rëndësishme, të cilat mund të konsiderohen të karakterit akut dhe me interesa të veçanta, ndërsa reforma në gjyqësor kërkon patjetër bashkëpunim të pandërprerë. Edhe një herë bëj thirrje për të gjithë partitë politike të rikthejnë në vëmendje këtë proces të rëndësishëm, i cili nuk kërkon fjalë, por kohezion politik, profesionalizëm, monitorim. Disa gjyqtarë e kërkojnë karrierën në rrugë jo të ndershme. Ina Rama ka deklaruar se “Më problematikja është që ndërkohë që ne kemi mundësi të hetojmë prokurorët, nuk kemi mundësi të hetojmë gjyqtarët sepse ata kanë imunitet sipas Kushtetutës. Në momentin që zyra e prokurorit të përgjithshëm kërkon të merret autorizimi për procedim penal ndaj gjyqtarit, dhe flasim këtu përgjithësisht për vepra me natyrë korruptive, në këtë moment hetimi është bërë publik dhe është e pamundur të hetosh në mënyrë publike një aferë korruptive. Është e pamundur të hetosh një gjyqtar për korrupsion kur gjyqtari e di që po hetohet për korrupsion”.

Përfaqësuesi i KE-së, Lohan

Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë Helmut Lohan, i pranishëm në konferencën mbi sistemin gjyqësor, ritheksoi shqetësimin e Bashkimit Evropian mbi përpjekjet e ekzekutivit për të ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit. I njëjti shqetësim u pasqyrua dhe në progres raportin e KE-së për Shqipërinë, i cili u publikua pak ditë më parë. Ambasadori Lohan vlerësoi si shumë të rëndësishme bashkëpunimin e gjithë forcave politike për reformat në vend dhe veçanërisht për reformat në fushën e gjyqësorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›