E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Respekt për Anila Godon, PR parti monarkike

Pas kërkesës së republikanëve për të marrë Ministrinë e Shëndetësisë, reagon kreu i kësaj ministrie, Nard Ndoka. 

ADI SHKEMBI

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, kreu i Partisë Demokristiane thotë se, ende nuk ka asgjë zyrtare lidhur me këtë çështje, ndërkohë që ironizon republikanët lidhur me propozimin e tyre. I pyetur mbi pasardhësen e tij të mundshme, Ndoka thotë se, “E njoh zonjën Anila Godo dhe kam respekt për të. Por nuk më duket shumë interesante nga Partia Republikane, që të kthehet në një parti me prirje monarkike”. Sipas tij, republikanët mund të japin kontribut të madh, duke bashkëpunuar me drejtësinë për Gërdecin, teksa shton se, PDK di të bëjë shumë mirë edhe opozitën në Parlament.
Partia Republikane pritet t’i paraqesë Kryeministrit Berisha emrin e Anila Godos për postin e ministres së Shëndetësisë. Si e komentoni ju këtë hap të republikanëve?
E para, Partia Republikane ka të drejtën e saj që të paraqesë emra dhe kërkesa pa fund. Do të ishte normale për një parti politike, që në radhë të parë të mos ketë ultimatume dhe të mos bëjë diversion brenda maxhorancës, edhe për faktin se Partia Republikane doli nga qeverisja me një dorëheqje pas një incidenti të rëndë, që pati me Gërdecin. Pra, nuk e nxori njeri nga qeverisja. Kjo është shumë e rëndësishme. Bashkëpunimi në këto momente me Prokurorinë do të ishte kontributi më i madh i kësaj partie, për faktin se ka disa akuza që rëndojnë mbi të dhe pa diskutim që kontributi në qeverisje do të ishte i një rëndësie tjetër. Por duhet të jemi të qartë se Gërdeci shembi edhe pjesën artificiale të kësaj partie. Një parti që ishte e fryrë nga dushku, përfundoi vetëm me dy deputetë në Kuvend, e cila ishte pesha reale e kësaj partie. Këta elementë, patjetër që do të merren në konsideratë nga maxhoranca. Kuptohet që këto janë kërkesa të ligjshme të kësaj partie dhe unë s’kam ndonjë koment të veçantë, por gjërat besoj se do shihen me kujdes për shumë arsye, pasi për maxhorancën është shumë e rëndësishme që të jetë sa më funksionale sa më kompakte për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo është vendimtare për ne.
Gjatë këtyre ditëve keni pasur kontakte me Kryeministrin Berisha dhe a keni diskutuar lidhur me ndryshimet në qeveri?
Për fatin e keq jo. Kjo është pjesa mediatike e një problemi të një maxhorance. Nuk do ishte shumë e vlefshme dhe interesante që këto kontakte të jenë nëpërmjet medias, por besoj se do të bëhen në ditët në vijim, pasi nuk ka ndonjë ngutje. Partia Republikane besoj se do të ketë durimin të presë, që edhe drejtësia të shprehet për akuzat që ata kanë. Besoj se nuk ka ndonjë ngutje për të biseduar për riformatimin e qeverisë.
Nëse Kryeministri Berisha do të vendosë që t’ia japë Partisë Republikane postin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe duke pasur parasysh marrëveshjen mes PD-së e PDK-së, do t’i kërkoni një ministri tjetër me të njëjtën peshë kryeministrit?
E para, ne nuk e kemi marrë me forcë postin e ministrit të Shëndetësisë dhe nuk e mbajmë me forcë. Ajo që është e rëndësishmja, ne e kemi vlerësuar qeverisjen e vendit si përgjegjësi për Partinë Demokristiane dhe jo si privilegj. Unë si ministër i Shëndetësisë mund të them se për një vit kam bërë reformat më të mëdha, që kjo ministri ka pasur në 18 vite. Për një periudhë kohore mjaft të shkurtër kam miratuar tre reforma të rëndësishme të kësaj ministrie, strategjinë kombëtare dhe dy ligje bazë, ligjin “Për financimin” dhe ligjin bazë “Për sistemin shëndetësor”. Brenda një viti kam nënshkruar 13 marrëveshje me homologët e mi evropianë, ndërkohë që për 17 vite janë nënshkruar vetëm dy të tilla. Sistemi shëndetësor ka operuar me një ligj të viteve ‘63 dhe asnjë prej ministrave paraardhës nuk e ka marrë mundimin për t’i bërë këto reforma. Sistemi shëndetësor është në kulmin e reformave. Ka pasur një përmirësim të ndjeshëm me gjithë problemet dhe pengesat, që unë kam pasur edhe nga segmente të kësaj maxhorance. Të paktën e them me kënaqësi se stafeta ime ka shkuar më larg se sa ministrat paraardhës.
Pra, jeni të hapur për një shkëmbim postesh ministrore?
Partia Demokristiane nuk është një parti që rend drejt pushtetit. Ne kemi marrë një përgjegjësi, madje dimë më mirë të bëjmë oponencën dhe opozitën në jetën parlamentare, sesa të kacavirremi dhe të bëjmë rolin e servilit politik.
Zoti Ndoka, ju e njihni Anila Godon, emrin e propozuar nga republikanët për ministre Shëndetësie?
E njoh zonjën Anila Godo dhe kam respekt për të. Por nuk më duket shumë interesante nga Partia Republikane, që të kthehet në një parti me prirje monarkike.

“Ka xhelozi nga ata që duan të bëhen ministra, por është normale”

Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Jemin Gjana, ka komentuar dje kërkesat për ndryshimet në qeveri dhe faktin se, është njëri prej të përmendurve lidhur me këto ndryshime. Gjatë një prononcimi për mediat, Gjana është shprehur se mes politikanëve, që duan të bëjnë karrierë ka xhelozi, por shtoi se kjo është një gjë normale. Sipas tij, Partia Republikane duhet të jetë pjesë e kabinetit qeveritar. “Partia Republikane është partia e dytë më e madhe e së djathtës, ka pasur vendin në ekzekutiv dhe duhet ta ketë vendin në ekzekutiv, kaq mund të jetë komenti im. Çështja tjetër është tagër i Kryeministrit për të bërë llogaritjet e duhura. Ka xhelozi, ka kërkesa nga politikanët, që duan të bëjnë karrierë, por është normale”, u shpreh Gjana. Gjithsesi i pyetur konkretisht për faktin se, posti që ai mban është në listën e ministreve, që po përflitet se do të jetë pjesë e ndryshimeve, Gjana nuk ka dashur ta komentojë, por ka shtuar se nuk është i mandatuar për riformatimin e qeverisë. “Nuk është në të drejtën time për të bërë komente, ndërkohë që nuk jam unë personi i mandatuar për t’u marrë as me negociatat dhe as me riformatimin e kabinetit”, u shpreh më tej Gjana. Posti i ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit është përfolur gjithmonë se, do të preket nga ndryshimet, sa herë që kryeministri Berisha është detyruar të rishikojë kabinetin, por deri tani nuk ka ndodhur asnjëherë një gjë e tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›