E Diel, 1 Nëntor 2026

PR: Në Kushtetuese nëse votohen "legalizimet"

Partia Republikane paralajmëroi dje se do t'i çojë në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet në ligjin për legalizimet, nëse Kuvendi do t'i votojë pa i ndryshuar.

Deklarata ka ardhur nga kryetari i grupit të deputetëve republikanë, Arjan Madhi, i cili ka kërkuar edhe më parë negociata lidhur me kalimin e këtij ligji. "Ne do të jemi konsekuentë në qëndrimin tonë dhe nëse nuk do të reflektohet mbi çështjet që lidhen me parimet dhe me standardet kushtetuese, sigurisht rrugët tona janë të hapura dhe do t'i drejtohemi më tej Gjykatës Kushtetuese, e cila le të shprehet përfundimisht për pretendimet tona", u shpreh Madhi. "Nëse ka vullnet maxhoranca të hartojë një projekt ndryshimesh, që të jetë në përputhje të plotë me ligjin që aktualisht është në fuqi, ne nuk kemi asnjë kundërshtim dhe rezervë", tha deputeti Madhi, ndërsa nënvizoi se ligji në fuqi ka parashikuar afate dhe procedura. Pak ditë më parë, Presidenti Bamir Topi hodhi firmën e parë kundër ligjeve të Kuvendit, që nga momenti që erdhi në krye të këtij institucioni. Por sipas Kushtetutës, tani maxhorancës do t'i duhet që të ketë të paktën 71 vota për miratimin e këtyre ndryshimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›