E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka ngushëllon familjarët e viktimave

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, u ka shprehur ngushëllimet e thella familjeve të prekura nga tragjedia që tronditi gjithë komunitetin. Paraditen e djeshme, Ndoka ka qenë i pranishëm në Morgun e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, vend ku u transportuan 16 trupat e pajetë. Ministri është takuar me familjarët e viktimave, të cilët prisnin tërheqjen e trupave nga morgu pas kryerjes së autopsisë. “Tragjedia e Farkës është një ngjarje rëndë, që së bashku e përjetojmë dhimbshëm”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë. Ndoka shprehu keqardhjen për ngjarjen e pazakontë që ndodhi në liqenin e Farkës. Ai sqaroi se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera, kanë marrë të gjitha masat për lehtësimin e procedurave për t’u ardhur në ndihmë familjarëve për tërheqjen e trupave. Ndoka tregoi se ishte njoftuar për këtë tragjedi pak minuta nga mesnata nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.
”Menjëherë në vendngjarje shkuan të gjitha ekipet mjekësore, me katër autoambulanca, të cilat në bashkëpunim më forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë bënë të mundur që katër të mbijetuarit të merrnin ndihmën e parë shëndetësore, ndërsa kufomat janë transportuar pranë Morgut të QSUT-së”, - u shpreh Ndoka. Ministri urdhëroi ngritjen e grupit të emergjencës me personel mjekësor për t’u qëndruar pranë familjarëve gjatë përcjelljes për në banesën e fundit të personave që humbën jetën.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›