E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mbijetuarit e tragjedisë së Farkës jashtë rrezikut

Ministria e Shëndetësisë, katër ekipe mjekësore për familjarët e viktimave. Tre të afërm të familjes Osmani pësojnë goditje kardiake
Emanuela Sako

Katër të mbijetuarit e tragjedisë së Farkës, edhe pse janë jashtë rrezikut për jetën, vazhdojnë të jenë të traumatizuar për minutat e ankthit që iu desh të jetonin. Me ta për orë të tëra janë marrë ekipet mjekësore, derisa është konstatuar se jetën nuk e kishin në rrezik. Sapo informacioni për ngjarjen ka kaluar në Ministri, menjëherë katër ekipe mjekësore janë drejtuar për në vendngjarje. Katër autoambulanca u kanë dhënë ndihmën e menjëhershme katër të mbijetuarve, Beqir Sinani, Luena Spahiu, Romina Hysa dhe Erjona Dibra, që është dhe e bija e pronarit të bar – restorant “Liqeni”, i cili humbi jetën. Të mbijetuarit, pasi kanë marrë ndihmën e menjëhershme mjekësore, janë transportuar për në QSUT. Ata janë vendosur në Urgjencën e Kardiologjisë, ku një ekip mjekësh është kujdesur për gjendjen shëndetësore. Sipas informacioneve zyrtare nga Urgjenca e Kardiologjisë, dje u pohua për gazetën “Albania” se të mbijetuarit janë larguar në orët e para të mëngjesit me ndihmën e familjarëve për në banesat e tyre. Burime nga QSUT-ja pohojnë se katër të mbijetuarit nuk kanë pasur asnjë problem shëndetësor, përveçse ftohjes së lehtë nga qëndrimi në ujin të ftohtë të liqenit. Ndërkohë që trupave të 16 viktimave, pasi iu është bërë ekspertiza mjeko-ligjore, janë tërhequr nga morgu për në familjet e tyre, ku pjesa më e madhe e tyre, në orën 16:00, janë përcjellë për në banesën e fundit. Për të shmangur vazhdimin e ndonjë tragjedie tjetër, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka ngritur grupe emergjente pranë familjeve të viktimave, ku ka angazhuar personelin mjekësor për çdo familje të viktimave.
Masat për ngjarjen
Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, deklaroi se ishte njoftuar për këtë tragjedi pak minuta pas mesnatës nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar të gjitha ekipet mjekësore, me katër autoambulanca, të cilat, në bashkëpunim më forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë, bënë të mundur që katër të mbijetuarit të merrnin ndihmën e parë shëndetësore. Ndërsa kufomat janë transportuar pranë morgut të QSUT-së, ku është kryer autopsia. Ekspertët mësohet se kanë dalë në konkluzionin se shkaku kryesor për vdekjen e 16 viktimave ishte mbytja.
Grupet e emergjencës
Personeli mjekësor ka qëndruar gjatë gjithë kohës në gatishmëri, në ndihmë të familjeve të viktimave. Ministria e Shëndetësisë e konsideroi ngjarjen si gjendje të jashtëzakonshme dhe ngriti disa grupe emergjente në rast se familjarët nuk do ta përballonin dot tronditjen e rëndë. Pranë familjes Osmani, që humbi 8 familjarë, kanë qëndruar gjatë gjithë kohës autoambulancat me personelin mjekësor. Tre të afërm të kësaj familjeje kanë pësuar goditje të kardiake kur arkivolet filluan të radhiteshin në hyrje të shtëpisë. Atyre u është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut, ndërsa zija në familjen Osmani ka pushtuar dhe gurët e shtëpisë.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›