Vajza e Godos, kandidate për Ministrinë e Shëndetësisë
PR-ja propozon edhe Arsimin ose Bujqësinë
Kryesia e PR-së përzgjedh emrat për në qeveri
Ish-kandidate për dekane të Fakultetit të Mjekësisë vetëm para pak muajsh, tashmë është një kandidate e fortë dhe për drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Anila Godo, me profesion mjeke, e bija e politikanit të njohur të së djathtës, Sabri Godo, dje mori pëlqimin e kryesisë së PR-së për t’ia paraqitur emrin e saj Kryeministrit Sali Berisha në bisedimet e afërta për rikthimin e republikanëve në qeveri. Anila Godo, e cila ushtron profesionin e pedagoges në Fakultetin e Mjekësisë, atë të pediatres në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", njëherësh dhe drejtoreshë e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë “Domenik Scaglione”, duket se është kandidatura më e mundshme e PR-së për ministrinë që drejton Nard Ndoka. Kjo për faktin se në mbledhjen e djeshme të kryesisë së kësaj partie mësohet se në tavolinën e bisedimeve me z.Berisha do të shkohet edhe me dy kandidatura të tjera, përveç asaj që vjen nga shoqëria civile. Burime pranë mbledhjes bëjnë të ditur se një tjetër emër do të zgjidhet nga radhët e grupit parlamentar të PR-së dhe një kandidaturë e tretë do të vijë nga anëtarësia e kryesisë republikane. Por duket se znj.Godo që vazhdon të mbajë mbiemrin e të atit, një politikan karriere, është më e favorizuara për postin e ministres së Shëndetësisë edhe për faktin se ajo njeh shumë mirë problematikën e mjekësisë shqiptare, pasi prej vitesh është pjesë e saj. Por përveç etiketimit të Ministrisë së Shëndetësisë, republikanët janë të gatshëm të pranojnë edhe ministri tjetër të rëndësishme në rast të refuzimit nga z.Berisha të dikasterit të shëndetësisë. Madje, kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, pohoi dje se partia e tij kërkon më shumë nga ç’ka marrë reformatori Genc Pollo dhe agrari Lufter Xhuveli, të cilët kanë mbetur me nga një deputet në Kuvend. Për këtë arsye, republikanët zyrtarizuan dje kërkesën në adresë të Kryeministrit Sali Berisha për përfaqësimin e tyre në kabinetin qeveritar. Kryesia i propozoi paraditen e djeshme shefit të qeverisë që Partia Republikane të ketë një nga tri ministritë: Shëndetësinë, Arsimin ose Bujqësinë. Kjo kërkesë e republikanëve e vë në vështirësi Kryeministrin Berisha, pasi Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit drejtohen nga dy aleatët e demokratëve, Nard Ndoka i PDK-së dhe Genc Pollo i PDR-së. Por republikanët në kërkesën e tyre kanë edhe dikasterin e Bujqësisë, ndërsa një çështje e debatueshme është edhe posti i zv.kryeministrit, vend bosh që nga koha kur Oketa u emërua Ministër i Mbrojtjes. Ndryshimet në qeveri pritet të realizohen gjatë 10 ditëve të ardhshme, pasi në fund të korrikut përfundon edhe sesioni parlamentar. Gjithsesi, republikanët presin që brenda kësaj jave të marrin një përgjigje nga Kryeministri Berisha për përfshirjen e tyre në qeveri. Madhi beson se kjo çështje do të përfundojë. “Ne jemi të bindur se brenda këtij sesioni parlamentar kjo çështje do të përfundojë”. Ndonëse, sipas Arian Madhit, PR-ja nuk kishte paraqitur para Kryeministrit poste ministrore konkrete me të cilat kërkon të përfaqësohet në kabinetin qeveritar, kuadri është i qartë: Posti të jetë brenda posteve të rëndësishme të kabinetit qeveritar. “Nuk kemi paraqitur asnjë ofertë. Kemi përcaktuar vetëm thjesht kuadrin që kjo të jetë brenda një numri postesh të rëndësishme të kabinetit qeveritar”, - tha Arian Madhi.