Formati i diplomës, UT pret propozimet e studentëve
Diploma e re e Universitetit të Tiranës do të formatohet nga studentët. Nisma e rektoratit të këtij universiteti është mbledhja e kërkesave të studentëve për elementet që duhet t`i shtohen diplomës dhe formatit të saj grafik. Për këtë arsye, rektorati ka publikuar një format fillestar, që përmban të gjitha detajet e kërkuara nga udhëzimi i ministrit Beja, ndërkohë që pas kërkesave të studentëve, që duhet të paraqiten me shkrim, do të shtohen edhe elemente të tjera. Çështja e titullit pritet të shtohet pas kërkesës së Këshillit Studentor, i cili ka paralajmëruar përgatitjen e një kërkese të tillë.
Propozimet
Universiteti i Tiranës tashmë pret propozimet e studentëve dhe të sapodiplomuarve për të përfunduar hartimin e formatit të diplomës. Në bazë të vendimit të marrë nga Universiteti, diploma e re do të jetë fryt i bashkëpunimit mes rektoratit dhe pedagogëve, duke u lënë këtyre të fundit mundësinë e shtimit të elementeve në diplomë.
Universiteti ka përcaktuar deri tani vetëm një format bazik që përmban të gjitha detajet e kërkuara nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, ndërkohë që elemente të tjera, si titulli i diplomës apo paraqitja grafike do të vijnë vetëm pas propozimit të studentëve. Për këtë arsye, rektorati bëri dje të ditur se pret sugjerime të shkruara nga studentët, por edhe nga grupe të interesit për formatin se si ata duan diplomën e re. Sinergjinë studentë-universitet për diplomën e re e kishte paralajmëruar përpara disa ditësh rektori Kule.
“Në përputhje me udhëzimin e ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe me standardet e Bolonjës, Universiteti i Tiranës, senatet akademike dhe studentët do të hartojnë një model të ri diplome”, – ka thënë për “standard” prof. Kule, duke paralajmëruar se diplomat e reja do të jenë pak më të kushtueshme, por do të jenë cilësore për të diplomuarit.
Diplomat
Pas shumë vitesh, Ministria e Arsimit është tërhequr përpara pretendimeve të universiteteve të Tiranës, duke pranuar gabimet e udhëzimit, të nënshkruar nga ish-ministri Pollo. Në udhëzimin e ri, ministri Beja, duke iu përputhur kërkesave të ligjit të arsimit të lartë, u ka lënë në dorë universiteteve që të modelojnë grafikisht diplomat, duke hequr kriteret e peshës së fletës dhe të ngjyrave që do të hidheshin mbi të.
Ministri Beja ka udhëzuar që universitetet të mund të shtojnë elemente të tjera në diploma, përveç atyre të përcaktuara në udhëzim, duke përmbushur në këtë mënyrë, atë çka parashikon ligji. Madje, në udhëzimin e ri është hequr stema e Ministrisë së Arsimit nga diplomat universitare, duke i bërë ato të pajtueshme me diplomat në tregun evropian universitar.