E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në ligjin e arsimit miratohen në fshehtësi

Anglishtja kusht për masterin, ndryshimet e cikleve të studimit, gjithçka kalon pa u konsultuar me universitetet

Ndryshimet që ka pësuar ligji i arsimit të lartë janë miratuar në fshehtësi. Projektdrafti i dërguar nga Ministria e Arsimit pranë Këshillit të Ministrave ka marrë “ok” më datë 28.04.2010, ndërkohë që është dorëzuar në Kuvend, bashkëngjitur edhe me relacioni përkatës, më datë 21.06.2010.
Ndërsa vendimi ka kaluar në qeveri, universitetet dhe studentët që aktualisht ndjekin një nga ciklet e studimit në institucionet e arsimit të lartë publik, ende nuk janë në dijeni se ky draft ka kaluar. Për më shumë, universitetet janë të shqetësuar se përse grupi i punës nuk është mbledhur asnjëherë për të diskutuar ndryshimet, si dhe arsyeja përse nuk janë marrë në konsideratë kërkesat nga ana e profesorateve. Duke nisur nga kjo, universitetet kanë sqaruar se tashmë reagimi dhe deklaratat do të jenë më të mprehta, më të shpeshta dhe më të drejtpërdrejta.

Pritet që nga sot të ketë reagime nga shumica e dekanateve, si dhe nisja e lobimit në Parlament për të kthyer projektvendimin për shqyrtim dhe jo për miratim përfundimtar.

Projektligji

Në projektligj sqarohet zgjedhja e shefave të shërbimeve për spitalet universitare. Tashmë mjafton që ata që kanë titullin doktor dhe jo profesor doktor, për të mbajtur postin e drejtuesit. Ciklet e studimit ndahen me kredite, ndërkohë që ata të cilët kanë përfunduar ciklin 4-vjeçar dhe master 2-vjeçar duhet të shohin mundësinë e transferimit të krediteve, të plotësojnë kërkesat e vendosura nga institucionet e arsimit të lartë, si dhe të shtyjnë më tej vitet e studimit. Ndërkohë që është institucionalizuar testi i TOEFL-it, i cili duhet të jepet para mbylljes së mikrotezës për të gjitha ciklet pasuniversitare.

Kërkesat e dekanateve

Drafti i ligjit të arsimit të lartë, i hartuar nga Ministria e Arsimit, sipas drejtuesve të universiteteve asgjëson autonominë e universiteteve publike. Rektori i Universitetit të Tiranës ka sqaruar se ky draft është hartuar pa u konsultuar me ta dhe i detyron universitetet të marrin leje në ministri për çdo kriter apo veprim që ata vendosin të ndërmarrin.

“Nëse projekti do të kalonte, atëherë nuk diskutohet më autonomia e universiteteve publike. Ato vendosen në një situatë që nuk kanë qenë as në kohën e diktaturës”, u shpreh Kule.
Rektori i Universitetit të Tiranës tha se autonomia akademike dhe financiare e universiteteve cenohet tërësisht nga ky draft, i cili prish edhe skemën e arsimit të lartë.

Rektorët kanë kërkuar që të ndryshohet pjesa e ligjit ku saktësohet cikli i diplomave, pasi ende ministria nuk është shprehur se si do të kategorizohen diplomat për studentët që kanë mbaruar ciklin e vjetër të studimeve dhe kanë vazhduar masterin e nivelit të dytë.

Lorina Mixha, Shpresa Mezini

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›