Ndryshimi i Kushtetutës, juristët: S’është rregullore shkolle
Në një deklaratë për mediat ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, shprehet kundër ndryshimeve kushtetuese, pasi sipas tij, “nuk janë testuar ende ndryshimet e fundit”, në prill të 2008-ës
Juristët ndajnë mendimin se ligji themeltar i shtetit, s’duhet vënë në dispozicion të lakmive të politikës, sa herë që s’përmbush qëllimet e njërës apo palës tjetër politike. Ish kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata, thotë se është kundër ndryshimeve kushtetuese, pasi sipas tij, “nuk janë testuar ende ndryshimet e fundit që janë bërë dhe të ndërhysh në Kushtetutë në këto momente do të thotë ta kthesh atë në një mall tregu politik”. Gjata komenton mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ku thekson se problem nuk mbeten procedurat, por kompetencat që i sanksionohen presidentit dhe jo vetëm. I pyetur mbi ndërhyrjet që duhet të ndërmerren nga klasa politike shqiptare për zgjedhjen e kreut të shtetit, Gjata tha se problem mbeten kompetencat e Presidentit dhe të pushteteve të tjera. Sipas tij, nëse do të ndërhyhej këtu do të duhej domosdoshmërisht që të ndërhyhet edhe në institutet dhe kapitujt e tjerë kushtetues. “Kjo do të çojë domosdoshmërisht në hartimin e një Kushtetute të re. Kushtetuta është një pazëll i vështirë, po lëvize njërën pjesë të pazëllit duhet ta ndryshosh të gjithën. Por nuk mendoj se duhet ndërhyrë përsëri dhe tani në këtë kohë në Kushtetutë. Kushtetuta nuk mund të ndryshojë si një rregullore shkolle e re, pas çdo viti mësimor”- tha Gjata. Sipas tij, Kushtetuta nuk është vënë në provë, pasi ende nuk janë testuar ndryshimet e fundit, të prill 2008-ës. “Të shohim një herë si do të shkojnë pastaj mund të diskutohet. E kam theksuar dhe vazhdoj ta theksoj se pretendimi për ndryshim të ri është pretendim politik shumë pragmatist, që nuk shkon fare me filozofinë kushtetuese të një shteti modern demokratik. Ndryshe, Kushtetuta do të na kthehej në një mall tregu politik”- vijon Gjata. Me gjithë problemet që ka Kushtetuta, për Gjatën, “më mirë është të mbetet tani për tani kështu, se sa të ndërhyhet përsëri, apo të hartohet pikërisht në këtë situatë aspak të përshtatshme, një Kushtetutë e re”. I pyetur nëse zgjedhja e Presidentit duhet të vijë nga fusha politike, shoqëria civile apo alternativa të tjera, Gjata shprehet se kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, pasi të gjitha fushat në vendin tonë si politika, shoqëria civile, fushat teknike - akademike apo të tjera, nuk është se kanë treguar ndonjë nivel mbi tjetrën, përsa i takon performancës. “Këtu mund të shtrohet për diskutim se sa e aftë është politika shqiptare të pranojë personalitete të mëdha apolitike për president. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk ndodhet në një moment thyerje të madhe historike ku të jetë në lojë e tashmja dhe ardhmja e saj, siç mund të ketë qenë viti 1912 apo viti 1990. Të jemi realistë, demokracia në këtë vend po vjen duke u konsoliduar, jemi në NATO, pa viza në “Schengen”, shumë pranë statusit të anëtarësimit në Europë, ndaj nuk mendoj se koha do të paraqesë imediatikisht ndonjë figurë të madhe historike si alternativë për zgjidhje, ndaj mbetet primare një zgjidhje dhe zgjedhje politike”- tha Gjata. Ajo që ka rëndësi, sipas tij, është dhe mbetet fakti që kandidatura për president duhet të ketë përvojë të madhe jete e pastaj politike, të njohë mirë të gjithë historinë e ndërlikuar të këtij vendi të lashtë dhe pastaj të njohë mirë historinë politike. Përsa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit, Gjata tha se “ka shumë eksperienca të botës së përparuar e demokratike për zgjedhjen e presidentit, si p.sh zgjedhja nga populli, nga parlamenti ose asambleja kombëtare që njehsohet me parlamentin, por ka edhe vende të tjera që e zgjedhin me asamble tej parlamenteve, të cilat mblidhen posaçërisht për zgjedhjen e presidentit, por këto të fundit janë larg modeleve tona për tu marrë si shembull”.
...