E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi i deklaratave nga Shamata te Tafaj

Deklaratat zyrtare të dala nga Ministria e Arsimit kanë ardhur duke u ndryshuar. Menjëherë pas evidentimit të problemeve me tekstin e ri të "Historisë", Ministria e Arsimit ka dhënë deklarata lidhur me tekstin e ri të "Historisë 12". I pari që ka thënë se teksti është më se i rregullt ishte zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata. Sipas tij, teksti ishte i rregullt, përzgjedhja dhe shqyrtimi i tij ishte bërë nga një grup specialistësh dhe kishte kaluar në disa etapa.

"Teksti i ‘Historisë 12‘ është krejtësisht i rregullt. Ai ka kaluar në disa filtra, nga vlerësuesit tek ata që bëjnë oponencë, ka kaluar komisione e madje edhe teste si të pjesës teknike, ashtu edhe profesionale. Vetë mësuesit e shkollave e kanë përkrahur këtë botim, dhe nuk kanë paraqitur ankesa apo vërejtje". Këtë sqarim e ka dhënë pak ditë më parë zëvendësministri i Arsimit dhe i Shkencës, Halit Shamata. Sipas tij, teksti i "Historisë" është i saktë, objektiv dhe përmbush të gjitha kriteret për të qenë korrekt, por ai po diskutohet për shkaqe politike, të cilat nuk i vlejnë askujt, sepse ky libër nuk ka në plan të tërhiqet, e aq më shumë të pësojë ndryshime. Sakaq, dje ministri Myqerem Tafaj deklaroi se teksti do të tërhiqet për t‘u shqyrtuar edhe një herë nga një grup i posaçëm specialistësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›