E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teksti i "Historisë" do të ndryshojë

Ka qenë protesta e nxënësve të shkollës "Çajupi" ajo që i ka vënë "vulën" vendimit për tërheqjen e librit të ri të "Historisë 12". Pas debateve të shumta në media, pas reagimit të historianëve, pas protestave të nxënësve në shkollat e mesme, ka reaguar ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Dje në një takim ministri ka sqaruar se ky libër do të tërhiqet, do të bëhet një rishikim i tij dhe më pas korrigjimet përkatëse.

"Kemi ftuar një grup specialistësh të cilët do të merren me tekstin e historisë", sqaroi Tafaj. Sipas tij, për shqyrtimin e librit do të flasë grupi i punës, i ngritur për këtë çështje.

Sakaq, maturantët do të zhvillojnë lëndën e historisë me tekste të tjera alternative. Por deklarata e djeshme nuk është pritur me gëzim nga tekstshkruesi kryesor i "Historisë 12", profesor doktor Beqir Meta. Sipas autorit kryesor të librit, në librin e ri nuk ka gabime apo pasaktësi, të paktën në pjesën e përmbajtjes, mund të ketë nevojë për një rikorrigjim për sa i takon pjesës teknike. "Teksti nuk duhet ndryshuar, sepse nuk ka gabime. Bëhet fjalë vetëm për një ndryshim teknik, për çështje emri, po jo ndryshim konceptual. Nxënësit duhet të mësohen të ballafaqohen me fakte, historianët nuk janë kronistë dhe do të japin edhe komentet e tyre", sqaroi autori i librit, Meta.

Çështjet e diskutuara

Falsiteti komunist i pluralizmit, zgjedhjet e 22 marsit 1992 dhe krijimi i qeverisë së parë postkomuniste, viti 1997 dhe pasojat e tij, vështirësitë në kryerjen e reformave, rruga e vështirë e integrimit të Shqipërisë, integrimi i Shqipërisë, janë disa nga çështjet më të rëndësishme të kapitullit të fundit të "Historisë 12" për shkollat e mesme. Gjendja ekonomike, e përfshirë në çështje teknike ekonomike, të cilat mbartin pasaktësi dhe në të njëjtën kohë nuk bazohet në asnjë nga raportet ndërkombëtare, përmendim këtu raportet e FMN-së apo Bankës Botërore te të cilat në atë kohë ishin përfshirë dhe kishin ekspertizën e duhur për të analizuar situatën ekonomike (bëhet fjalë për përshkrimin e situatës ekonomike në vitet ‘92-‘96). Po ashtu, pjesë e historisë së këtij viti do të jetë tragjedia e Gërdecit, çështja "Fazlliç", apo taksa "Majko", rruga Durrës-Kukës-Morinë.

Ndërkohë, një pasaktësi jepet në këtë tekst. Ndër të tjera autori rendit një pjesë të privatizimeve që janë kryer pas vitit 2005. Por ndryshe nga sa shpjegohet në tekst, deri më sot nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë se kompania e sigurimeve INSIG është privatizuar. Sakaq, ajo aktualisht është 100 për qind shtetërore.

Specialistë të historisë kanë deklaruar dje se tekstet e historisë për shkollat e mesme duhet të jenë të rregullta dhe të shkruara në fakte e dokumente zyrtare. Një tekst i rregullt dhe i saktë me ngjarje të faktuara dhe objektivitet bëhet vetëm me ndihmën e arkivit. Arkiva e shtetit shqiptar nuk mund të japë dokumentacion për një ngjarje e cila ka ndodhur sot, pa kaluar 25 vjet. Për më shumë, në rast se një tekst shkruhet pa këto të dhëna, ai nuk mund të jetë korrekt dhe nuk bazohet në fakte dhe të dhëna të arkivuara, shkrimet e mëpasshme kalojnë në interpretime personale. Kjo metodë rëndon në tekstet shkollore, sepse mund të çojë në shkrime dhe rishkrime të teksteve disa herë, duke humbur kështu rëndësinë e duke shpërndarë informacion të pasaktë ose të vakët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›