E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria të heqë librin e historisë

Partia Socialiste ka reaguar dje në lidhje me tekstin e "Historisë" për klasën e 12-të. Deputetja e PS-së, Ledi Shamku, e ka akuzuar Kryeministrin Berisha dhe mazhorancën e tij, të cilët po deformojnë historinë. Gjatë një deklarate për shtyp, Shamku tha se "porositësi i tekstit të turpshëm të ‘Historisë‘, neodiktatori Sali Berisha, u shpreh se ky tekst paskësh nevojë për korrigjime.

E kështu dje, vasali i tij, ministri i Arsimit, doli dhe pranoi publikisht se teksti ka probleme dhe do të korrigjohet brenda vitit. Kjo vërteton edhe njëherë atë çka u thamë shqiptarëve: në këtë vend nuk ka më institucione të lira që bëjnë punën e tyre". Sipas selisë rozë, në këtë vend nuk ka as ministra, por ka vetëm një tufë buratinësh, fijet e të cilëve i lëviz të gjitha Berisha. "Pra ky diktator del se është ministër Arsimi, ministër Drejtësie, ministër Transporti, ministër Financash. Gjithçka! Madje del se është edhe përfaqësuesi i shkencës së historisë, njëlloj si Enver Hoxha para tij", tha deputetja e PS-së. Shamku tha para mediave se PS-ja nuk mund të lejojë që ky neodiktator dhe koleksioni i tij i buratinëve të tallen me shqiptarët.

"Ndaj, ka theksuar ajo, ne kërkojmë që ky libër të tërhiqet menjëherë nga të gjitha shkollat e vendit dhe jo të pritet një vit derisa ai të korrigjohet".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›