E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogjtë përplasen me avionin, në rrezik 80 shqiptarë

Jeta e 80 pasagjerëve shqiptarë është rrezikuar seriozisht, pasi avioni me të cilin fluturonin nga Gjermania për në Prishtinë, u sulmua nga një tufë zogjsh. Ngjarja ka ndodhur pardje, por mediat nuk kanë arritur të raportojnë. Por më pas, e përditshmja gjermane "Bild" ka konfirmuar lajmin dhe ka siguruar fotot e incidentit. "Bild" raportoi dje se, aeroplani i tipit "Boeing 737-700", me 80 pasagjerë në bord, shumica dërrmuese shqiptarë, po fluturonte për në Prishtinë, nga aeroporti i Dyseldorfit. "Fotot dramatike janë bërë publike pasi avioni i kompanisë ‘Germanian Airlines‘ ndeshi një tufë zogjsh, pak minuta pas ngritjes nga aeroporti", shkruan "Bild". Tufa e shpendëve u përplas me aeroplanin në momentet që ai po fluturonte me 300 kilometra në orë. Motori në anën e djathtë doli jashtë funksionit. "Aeroplani u detyrua të kthehej përsëri në pistë, shkruan "Bild". Ajo thekson faktin se zogjtë, rreth 20 cm të gjerë dhe me peshë rreth 75 gramë, goditën trupin e avionit dhe motorin si një breshëri plumbash. "Zhurma e motorit u ndryshua në një shpërthim të papritur", i ka thënë gazetës "Bild", një dëshmitare.

Jorg Handuerg, zëdhënës i Unionit të Pilotëve, shtoi se "ishte një situatë kritike", duke i mëshuar faktit se "megjithatë ky ‘Boeing‘ mund të fluturojë edhe vetëm me një motor". Pasi ka pësuar goditjen e zogjve, piloti ka bërë zgjedhjen e duhur, duke u kthyer mbrapa dhe ulur në Dusseldorf, rreth 45 minuta më vonë, ka konfirmuar edhe zëdhënësi i aeroportit, Kristian Uit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›