Ndryshohen masat, vetëm pesë në qeli për kartat dixhitale
Sfumohen arrestimet e bujshme të kartave të klonuara dixhitale, reduktohet numri i të arrestuarve në pesë persona. Nga 16 të arrestuar dhe të ndaluar katër ditë më parë, disa me vendim gjykate të marrë në mungesë, pjesa më e madhe ka lënë qelitë apo dhomat e ndalimit dhe janë kthyer pranë familjeve. Megjithatë, vendimi i marrë dje nga gjyqtari Martin Deda nuk është pritur mirë nga avokatët e të ndaluarve, të cilët kanë pretenduar se gjykata nuk mund të vendosë këtë masë shtrënguese për klientët e tyre, pasi nuk përbëjnë rrezikshmëri shoqërore. Megjithatë, vetëm 11 prej tyre patën fatin të rikthehen pranë familjeve me masë “arrest shtëpie” apo “detyrim paraqitjeje”, pasi 5 të tjerë u rikthyen në qelitë e paraburgimit në masën “arrest me burg”. Avokatët kanë kundërshtuar arrestimin e 16 personave, duke pretenduar se ata nuk kanë kryer asnjë vepër penale, madje nuk mund të akuzohen as për pirateri dixhitale, pasi ligji për piraterinë ka hyrë në fuqi më 31 dhjetor të vitit të kaluar, ndërkohë që hetimet për klientët e tyre kanë nisur në tetor të vitit të kaluar. Megjithatë, sipas tyre, shumë pak u morën parasysh argumentet e tyre në sallën e gjyqit, ndaj dhe janë të detyruar të apelojnë vendimin e gjykatës.
Vendimi
Gjykatësi i çështjes, Martin Deda, ka ndryshuar dje masat e sigurisë të vendosur në mungesë për disa të pandehur, ndërsa personat e tjerë i ka lënë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Gjykata vendosi caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për të pandehurit Eldi Vorpsi, 23 vjeç, Sokol Kadare, 38 vjeç, Saimir Likollari, 31 vjeç, Artan Priftuli, 44 vjeç, Edison Shema, 32 vjeç, Eduart Koka, 42 vjeç, Ilir Dylja, 38 vjeç, Fatmir Çupi, 32 vjeç e Alfred Kadiu, 30 vjeç. Për të pandehurit Xhaferr Gixharri, 23 vjeç e Ilir Nushi, 32 vjeç, gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Ndërsa për të pandehurit Saimir Kuniqi, 55 vjeç, Sokol Shalca, 48 vjeç, Spiro Zguri, 48 vjeç, Dhimitraq Papa, 55 vjeç dhe Marin Palushi, 36 vjeç gjykata vendosi masat “arrest me burg”. Gjatë caktimit të masës së sigurisë, avokatët mbrojtës kanë pretenduar se prokuroria nuk ka pasur prova për të vërtetuar akuzën e ngritur për mashtrim. Nga ana tjetër, mbrojtësit kanë pretenduar para gjykatës se nuk kemi vepër penale, pasi ligji për piraterinë ka hyrë në fuqi më 31 dhjetor të vitit 2008, kur hetimet kanë nisur në tetor të vitit 2008. Sipas mbrojtësve, në këtë rast nuk kemi vepër penale. Për këtë fakt, mbrojtësit i kërkuan gjykatës edhe caktimin e një mase sigurie më të butë sesa ajo e vendosur nga prokuroria në mungesë. Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë kryer zhbllokimin e kodeve të platformave të kanaleve televizive, të cilat më pas i kanë shitur kundrejt shumave 200-350 euro.
Hetimet
Hetimet ndaj 16 të pandehurve kanë nisur në tetor të vitit të kaluar pas një denoncimi të bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të shqetësuar nga zhbllokimin e kodeve të platformave të kanaleve televizive, ata kanë bërë denoncimin tek autoritetet shqiptare. Më pas, në Policinë e Tiranës janë marrë kallëzime se në disa pika të ndryshme në Tiranë, tregtohen aparate dixhitale të riprogramuara dhe të klonuara. Fillimisht është mundësuar identifikimi i disa prej pikave që tregtonin këto aparate në kryeqytet dhe më pas në disa rrethe të vendit. Personat që ishin të implikuar në këtë aktivitet kriminal, pasi kryenin riprogramimin e aparateve dixhitale nëpërmjet sinjalit të internetit, bënin të mundur marrjen e të dhënave në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive. Sipas burimeve zyrtare nga policia, gjatë shoqërimit dhe kontrolleve të banesave të shtetasve të lartpërmendur, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 50 copë kompjuterë dhe serverë të markave të ndryshme, 20 “Laptop”, 1000 copë aparate “dixhitale” të tipave të ndryshme të markave “Dream Box”, “Echolink”, “Orbitum” dhe “Metabox”. Gjithashtu u kapën 500 copë karta plastike me çip për dekodifikimin e sinjalit dhe 30 copë aparate telefoni celularë. Personat e arrestuar u shoqëruan në qelitë e paraburgimit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit kompjuterik” në bashkëpunim.
Klonimi
Sipas prokurorisë, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrit kanë klonuar dhe më pas u kanë shitur qytetarëve karta të platformës “DigitAlb”, paketës “Super-Sport”, platformës “Tring”, “Sky” dhe “Nova”, që transmetojnë programe me pagesë, artistike dhe sportive. Ndalimi i 16 të pandehurve u bë i mundur në sajë të operacionit të koduar “Modem”.
Masa “arrest shtëpie”
Eldi Vorpsi, 23 vjeç
Sokol Kadare, 38 vjeç
Saimir Likollari, 31 vjeç
Artan Priftuli, 44 vjeç
Edison Shema, 32 vjeç
Eduart Koka, 42 vjeç
Ilir Dylja, 38 vjeç
Fatmir Çupi, 32 vjeç
Alfred Kadiu, 30 vjeç
Masa “detyrim paraqitjeje”
Xhaferr Gixhari, 23 vjeç
Ilir Nushi, 32 vjeç
Masa “arrest me burg”
Saimir Kuniqi, 55 vjeç
Sokol Shalca, 48 vjeç
Spiro Zguri, 48 vjeç
Dhimitraq Papa, 55 vjeç
Marin Palushi, 36 vjeç