E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e Damir Fazlliç, Apeli i liron nga sekuestrot



Gjykata e Apelit liron nga sekuestrot pronat e biznesmenit Damir Fazlliç, duke lënë në fuqi vendimin e kolegut të tyre të Shkallës së Parë, Artan Broci. Vendimi është marrë katër ditë më parë, ndërkohë që është bërë publik dhe është konfirmuar dje nga pala mbrojtëse. Vendimi i togave të zeza të Apelit është dhënë tre muaj pas vendimit të gjyqtarit Broci, i cili vendosi që të hiqet sekuestroja nga pronat e biznesmenit Fazlliç, me argumentin se sekuestroja është vendosur sipas një ligji që ka hyrë në fuqi në vitin 2008. Kryesues i treshes gjykuese ishte gjyqtari Alaudin Malaj, ndërkohë që në treshe bënin pjesë edhe gjykatësit Zeqine Sollaku dhe Fatos Qato. Në datën 31 dhjetor të vitit të kaluar ishte gjyqtari Artan Broci që rrëzoi fillimisht vendimin e prokurorisë, e cila po e heton biznesmenin për pastrim parash, madje duke hyrë në themel të çështjes, Broci shtoi se rezulton që Fazlliç nuk ka kryer vepër penale në Shqipëri. Por, kalvari i kërkesave të avokatëve nuk u mbyll me këtë kërkesë që mban tashmë dy vendime në favor të Fazlliç, por ka pasur edhe të tjera, si ajo e muajit nëntor të vitit të kaluar, kur avokatët mbrojtës të Fazlliç iu drejtuan Gjykatës së Tiranës për të urdhëruar heqjen e sekuestrove mbi shoqërinë “Crown Acquisitions”. Ndërkohë, prokurorët gjatë gjithë kohës kanë këmbëngulur se biznesmeni ka pastruar para, duke blerë sipërfaqe të mëdha toke në Durrës, në shumën e 1.7 milion eurove në një kohë që kapitali i “Crown Acquisitions” ishte vetëm 100 mijë lekë. Ndërkohë, pritet që një tjetër proces të vijojë këto ditë në Gjykatën e Tiranës, pas kërkesës së avokatëve që kundërshtojnë zgjatjen e afateve hetimore deri në 7 maj. Avokatët kërkojnë mbylljen e hetimeve, ndërsa kërkesa do të shqyrtohet nga gjykatësi Gjin Gjoni. Padia mban numrin 771, ndërsa ka si objekt të saj ankimimin e zgjatjes së afateve të hetimit. Dje është hedhur edhe shorti elektronik, ndërsa gjyqtari i caktuar për të shqyrtuar këtë çështje është Gjin Gjoni. Në kërkesë, mbrojtja kërkon pushimin e vendimit të Prokurorisë për zgjatjen e hetimeve ndaj biznesmenit boshnjako-britanik, Damir Fazlliç, edhe një muaj. Gjykatësi i caktuar për shqyrtimin e kësaj çështjeje do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e palës paditëse. Në rast se gjykata vendos pro Fazlliçit, atëherë prokuroria duhet të pushojë menjëherë hetimet e saj. Biznesmeni anglo-boshnjak, Fazlliç, është nën hetim nga Prokuroria për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, hetime të cilat nisën më 8 tetor të vitit të kaluar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›