E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët; Masa “arrest me burg”, jo në çdo rast nga prokurorët



Avokatët e caktuar dje nga familjet për të mbrojtur 16 të akuzuarit për kartat dixhitale, por edhe 7 avokatët e caktuar dy ditë më parë për agjentët doganorë dhe nëpunësit e transportit rrugor, janë shprehur të pakënaqur mbi mënyrën se si po vepron organi i akuzës lidhur me masat e arrestit. Sipas tyre, nuk kërkohet masa shtrënguese “arrest me burg” për çdo të ndaluar, aq më tepër kur nuk bëhet fjalë për vepër penale që nuk përbën rrezikshmëri shoqërore. Disa ditë më parë, vetë shefja e tyre u ka dhënë orientime për këto masa arresti, por ata janë duke vepruar njëlloj për të gjithë, si për atë që përbën rrezikshmëri, ashtu edhe për ata që nuk përbëjnë. Gjatë analizës vjetore me të gjithë prokurorët e vendit, Prokurorja e Përgjithshme renditi si mjaft problematike masat e arrestit vendosur nga prokurorët. “Për shkak të mbajtjes në burg të personave të pafajshëm, shpesh Prokurorisë i është dashur të paguajë një faturë financiare, ndërsa personit i është dashur të vuajë padrejtësisht burgimin e padrejtë”, - është shprehur znj. Rama. Sipas Kryeprokurores, në masat e sigurimit personal “arrest në burg” mbetet shqetësim zbatimi i kushteve dhe kritereve ligjore në kërkesat që paraqiten në gjykatë për caktimin e kësaj mase. “Prokurori ka detyrimin ligjor të analizojë me profesionalizëm çdo rrethanë të vlefshme në hartimin e kërkesës së tij për një masë shtrënguese ndaj një individi, që sipas ligjit prezumohet i pafajshëm”, - u shpreh ajo, duke shtuar se “ajo që konstatohet është se ndër 4.628 kërkesa për caktim të masave shtrënguese, 2.879 janë kërkesa për arrest në burg dhe nga këto, gjykata ka pranuar 2.584”. Kryeprokurorja vazhdoi kritikat e saj kundrejt vartësve, duke u shprehur se “me vështirësi prokurorët aplikojnë për vendosje masash alternative sigurimi personal dhe aplikojnë për “arrest në burg” edhe në rastet e kryerjes së veprave penale të lehta apo kur gjendemi para individësh me rrezikshmëri jo shumë të lartë”. Caktimin e këtyre masave të sigurimit, Kryeprokurorja Rama e ka konsideruar si një komoditet për prokurorët, apo më mirë siç e theksoi vetë ajo, “paaftësi profesionale dhe në rastin më të keq, si një mjet presioni që përdoret ndaj personave të përfshirë në proces, për të lejuar prokurorët të demonstrojnë të gjithë pushtetin e tyre mbi ta dhe realizimin e përfitimeve të paligjshme”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›