E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka e Ligori lënë çadrën, arrin në 60 numri i grevistëve të larguar



Greva e urisë ka arritur pikën kritike të saj dhe askush nuk mund t’i rezistojë dot më në ditën e 18-të të saj. Deputetët e Partisë Socialiste dhe mbështetësit e saj të ardhur nga e gjithë Shqipëria po sakrifikojnë me jetën e tyre për një Shqipëri demokratike, për votën e lirë, për të drejtën e zgjedhjes. Grevistët, përveç dhimbjeve muskulore, tensionit, dhimbjes së stomakut, dhimbjes së kokës, kanë shfaqur edhe probleme kardiake. Vetëm dje e kanë lënë grevën gjashtë grevistë dhe numri i përgjithshëm i atyre që nuk kanë mundur të rezistojnë më gjatë në çadra ka arritur në 60. Deputetja Olta Xhaçka është detyruar ta ndërpresë dje grevën e urisë, të cilën e nisi bashkë me 22 deputetë të Partisë Socialiste dhe 180 mbështetës të opozitës, në mbështetje të kauzës për transparencën e zgjedhjeve. Xhaçka është larguar nga greva rreth orës 14:00 për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar. Deputetja e PS-së është shoqëruar nga kolegia e saj greviste, Shegushe Ligori. Deputetja Ligori, në gjendje të rënduar shëndetësore, është transportuar pasditen e djeshme për në QSUT. Një tjetër grevist ka lënë çadrat e vendosura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së Kryeministrisë dhe është dërguar në spital. Preng Tuçi, 56 vjeç, është dërguar me autoambulancë pranë QSUT-së rreth orës 9:30 të paradites së djeshme. Dy grevistët që lanë çadrat i ka shoqëruar një tjetër grevist, i cili është larguar në orën 13:00. I riu nga Tirana, Oltian Ruçi, la grevën pas gjendjes së përkeqësuar të shëndetit. Në orët e pasdites dy grevistë të tjerë janë transportuar drejt QSUT-së. Elez Braha nga Kukësi dhe Fazlli Rustemaj nga Kopliku.
Mungesa e ushqimit mbart me vete pasoja në shëndetin e njeriut. Sipas sqarimit që ka bërë mjeku endokrinolog Feçor Agaçi, duke qenë se grevistët nuk marrin ushqim nga goja, ata konsumojnë ushqimet e vetë trupit, pra fillon të shkatërrohet organizmi për të marrë material ushqyes. Mjeku sqaron se fillimisht shkatërrohet dhjami. 30 për qind e trupit të njeriut është e përbërë nga dhjami, sasi që gjendet edhe te personat që janë të dobët fizikisht. Më pas fillojnë të shkatërrohen muskujt e krahëve dhe të këmbëve, pastaj muskujt e barkut. Më tej shkatërrohen organet e brendshme të organizmit, si: mëlçia, veshkat, zemra dhe në fund truri. Po ashtu ndodh edhe shkatërrimi i funksionit të të gjitha organeve, sidomos i gjëndrave endokrine me funksion të brendshëm në organizëm.

19 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›