E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Nuk ndalemi për transparencën e plotë të zgjedhjeve të kaluara”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë protestës së djeshme theksoi vendosmërinë e opozitës për të mos e ndalur aksionin politik në kërkim të transparencës së plotë të zgjedhjeve të kaluara. Rama nënvizoi se beteja e nisur nuk është një luftë për pushtet, por një përpjekje e qytetarëve për të kërkuar të drejtat e tyre. Sipas tij, pushteti i mban të mbyllura kutitë nga frika e përballjes me të vërtetën që ato përmbajnë.
Rama
Lideri i opozitës deklaroi se kriza politike në vend mban peng demokracinë, shtetin dhe ekonominë e vendit. “Para nesh çdo ditë dalin njerëz që i kanë shitur interesat e tyre në oborrin e pushtetit dhe thonë deklarata nga më të neveritshmet për ata që në këtë grevë urie nuk kanë hyrë për veten e tyre, por për të gjithë ata që duan ta jetojnë të ardhmen e tyre në këtë vend”, - pohoi Rama. Sipas tij, shqiptarët po e kuptojnë çdo ditë se e keqja që u ka hyrë në shtëpi ka të bëjë drejtpërdrejt me çka fshihet në kutitë e votimit dhe krizën e krijuar, sepse Sali Berisha nuk përballet dot me të vërtetën e atyre kutive. “Pushteti nuk i hap kutitë sepse nuk përballet dot me të vërtetën. E kanë marrë vesh të gjithë shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë se votat janë vjedhur, se e drejta e shqiptarëve për të zgjedhur lirisht është shkelur”, - u shpreh Rama, duke shtuar: “Berisha nuk ka kurajë të përballet dhe për këtë arsye i mohon popullit të vet të drejtën të shikojë se çfarë ka në ato kuti. Për këtë arsye e mban Shqipërinë peng në një krizë që thellohet dita-ditës”, - u shpreh kryesocialisti.
Greva
Kreu i PS-së ka bërë të qartë se greva e urisë dhe protestat e opozitës nuk do të ndalen, pasi ato nuk bëhen për interesa partiake, por për interesa kombëtare. Lideri i opozitës i ka quajtur të pavërteta të neveritshme deklaratat e maxhorancës kundër grevës së opozitës. “Këto ditë shfaqen njerëz që për të mbrojtur oborrin e pushtetit thonë të pavërteta të neveritshme për ata që në këtë grevë urie nuk kanë hyrë për veten e tyre, por për mënyrën se si ata dhe të gjithë ne duam ta jetojmë jetën tonë në këtë vend që është vendi ynë i përbashkët”, - tha Rama.
Duke nënvizuar vetëdijen e opozitës për vështirësitë e rrugës së zgjedhur, Rama tha se greva e urisë ishte e vetmja mënyrë e mbetur në luftën për të mbyllur epokën e vjedhjes së votave në vend. “Hapi që ne do të bëjmë është një hap i madh e kurajoz për të ndryshuar epokë, për të kaluar në një kohë kur zgjedhjet i vendos fuqia vendimmarrëse e qytetarit, ky kapërcim do të thotë futja e vendit tonë në rrugën e mirëqeverisjes. Hapja e kutive është hapja e rrugës së të ardhmes, është çlirimi i pasionit politik të një populli që nuk mund të kyçet brenda”, - vazhdoi më tej kryesocialisti. Ai u bëri thirrje atyre që sipas tij janë transformuar në propagandën e Berishës, se e kanë të kotë. “Ne nuk zmbrapsemi, nuk lodhemi dhe nuk ndalemi, sepse nuk po kërkojmë interesin e njërës palë, por interesin që të gjitha palët të bashkëjetojnë”, - u shpreh Rama. Ai ka shprehur keqardhjen e tij për mungesën e reagimit të qeverisë ndaj një problemi të tillë të ngritur nga opozita, që ka të bëjë me funksionalizimin e demokracisë në vend. “Ndjeva keqardhje për shurdhërinë, verbërinë, për qasjen e tij ndaj një problemi që është një problem kombëtar transparence, jo në funksion të një lufte për pushtet, por për demokratizim dhe emancipim. Për çlirimin e zgjedhjeve nga kthetrat e atij korrupsioni që nuk e lë popullin të qeveriset nga ata që zgjedhin”, - tha Rama.

Dule: “Pyetjet e tjera të KE-së dëshmojnë paaftësinë e qeverisë”

Kryetari i Partisë për Bashkimin dhe të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deklaroi dje se 170 pyetjet e tjera të Komisionit Europian janë një ogur i keq për shqiptarët, duke treguar paaftësinë e kësaj qeverie. “Sot (dje) Komisioni Europian ka shtuar edhe 170 pyetje të tjera. Dhe për këtë fajin nuk e ka opozita, por qeveria”, - u shpreh Dule, duke shtuar: “Kemi që nga 28 qershori kabinetin e ministrave që shikojnë se si të vjedhin edhe ato pak fonde investimi. Kemi edhe deputetët e maxhorancës që përpiqen të fshihen se mos u vjen komandanti t’u japë të lexojë hartimin e përditshëm kundër grevistëve. Të jeni të sigurt se transparenca do të bëhet”, - tha Dule.

19 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›