Ngjela: “Berisha në krye të kësaj qeverie është i paligjshëm”
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, e ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Që kryeministri ka manipuluar kutitë e votimit dhe që është i paligjshëm në krye të qeverisë, këtë e dinë dhe harabelat që janë në këto pemë”, - deklaroi Ngjela. “Si ka mundësi që një njeri, i cili akuzohet nga mbi një milion shqiptarë përditë, ende nuk reagon?” - ka drejtuar ai më pas pyetjen në publikun opozitar, duke e ftuar madje atë që edhe ta pështyjë dhe flakë tutje kohën që ai përfaqëson. Ngjela më tej ka pohuar se Berishës i paska mbaruar koha e tij duke thënë se “ai e ka konsumuar kohën e tij dhe prandaj kemi fituar”. Sipas tij, triumfi i kësaj beteje të opozitës tregon se ajo është dinjitoze dhe se ka heronj të vërtetë. “Ne keni vuajtur në këto dekada, që nga viti 1924 dhe deri më sot, është sepse nuk kemi pasur të drejtën për të votuar”, - tha Ngjela.
Braçe: “Mos i besoni kësaj qeverie dhe institucioneve të saj”
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, akuzoi dje kryeministrin Sali Berisha se po zhyt vendin në varfëri dhe mizerie si 14 vite më parë, si në gropën e piramidave. “Ky është Sali Berisha, i cili nuk na mund dot. Nëse ne do të mundemi këtë herë, nuk do të ketë më Shqipëri demokratike, prandaj ne duhet t’i rrëzojmë këta hajdutë me votën e lirë të çdo shqiptari të ndershëm”, - u shpreh Braçe. Ai ka hedhur thirrje të ashpra kundër qeverisë dhe personalisht, kryeministrit Berisha, duke pohuar se po uzurpojnë vendin me vota të vjedhura. Më tej ai ka hedhur thirrje që populli të ketë kujdes edhe për paratë e tij, duke mos ia besuar kësaj qeverie. “Mos i besoni më kësaj qeverie dhe institucioneve të saj, të cilat kanë uzurpuar paratë tuaja, siç është Banka e Shqipërisë”, - tha Braçe.
Duke e ashpërsuar më tej tonin e fjalimit të tij, ai përmendi edhe vitin e mbrapshtë ’97, duke e krahasuar atë që e priu atë me zhvillimet e tanishme ekonomike në vend.
Braçe bëri thirrje që t’i japim fund këtij pushteti, i cili nuk është i popullit, por i një familjeje.
19 Maj 2010