Rregullat e reja, ku do të bëhen pagesat për regjistrimet
Jonida Tashi
Regjistrimet për tu strehuar në një nga godinat e Qytetit Studenti do të hapen në datën 2 tetor dhe do të vazhdojnë deri në datën 5 tetor. Në një intervistë për gazetën “Albania” drejtori i këtij qyteti, Bujar Brovina sqaron procedurat se si do të regjistrohen studentët e viteve të para si dhe ata të viteve të tjera. Qiraja e strehimit për të gjithë studentët është 30 mijë lekë dhe pagesa do të kryhet me lekë në dorë. Tashmë listë pasaportat me emrat e studentëve për çdo dhomë janë gati dhe pritet vetëm nisja e regjistrimeve. Nëse do të ketë ndonjë student që ka ndryshuar mendje për shoqet/shokët e dhomës, ose do të ndryshoj dhomë, Brovina sqaron se nuk do të bëhet asnjë ndryshim. Pritet që këtë vit numri i studentëve në çdo dhomë në bujtinat e Qytetit Studenti të jetë tre veta, por nëse do të ketë fluks studentët do të detyrohen të bashkëjetojnë edhe katër veta për dhomë.
Kur do të nisin regjistrimet për konviktet në Qytetin Studenti?
Regjistrimet për të siguruar një dhomë në një nga godinat e Qytetit Studenti do të nisin më datën 2 tetor dhe do të vazhdojnë deri në datën 5 tetor. Në ditët e para të regjistrimit do t’i jepet prioritet studentëve të viteve të para, por brenda këtyre ditëve do të regjistrohen edhe studentët e viteve të dyta dhe të treta, pasi ne nuk do të kthejmë pas asnjë student që ka ardhur nga një rreth tjetër për tu regjistruar. Pra, regjistrimi për studentët e viteve të dyta dhe të treta do të jetë fakultativ, studentët do të regjistrohen në çfarëdo date që të vijnë.
Si do të bëhet regjistrimi për studentët e viteve të para?
Pagesa për tu regjistruar në bujtinat e Q.S-së për studentët e viteve të para do të bëhet në godinat përkatëse, ku do të strehohen të rinjtë sipas fakultetit që do të ndjekin studimet. Për këtë, ashtu si edhe në vitet e kaluara, në çdo bujtinë ngrihet një komision që kryesohet nga kujdestarja/ri i saj, ndërsa veprimet financiare kryhen nga një financiere arkëtare që dërgohet nga Drejtoria në çdo bujtinë.
Po pagesa për vitet e dyta dhe të treta si do të kryhet?
Pagesa e konviktit për vitet e dyta dhe të treta do të kryhet tek Banka Kombëtare Tregtare (BKT), BIS banka si dhe te Posta Shqiptare, një filial i së cilës ndodhet edhe këtu në Qytetin Studenti. Por studentët e rretheve mund ta bëjnë këtë pagesë edhe në filialet e tjera të Postës Shqiptare që gjenden në rrethe të ndryshme të vendit. Pagesat në këto adresa do të kryhen sipas numrave përkatës të llogarisë.
Si është bërë ndarja e studentëve në dhoma?
Përpara se të hartoheshin listat përfundimtare me emrat e studentëve për çdo dhomë, ne morëm preferencat e studentëve para se të largoheshin për pushimet verore në muajin korrik. Në bazë të këtyre preferencave, kujdestaret/ët e bujtinave përcaktuan emrat e studentëve që do të qëndronin në një dhomë të caktuar. Listat e studentëve dhe dhomat përkatëse janë afishuar në ambientet e çdo bujtine që në datën pesë gusht.
A do ekzistoj mundësia që një student të ndërroj dhomën pas këtij përcaktimi?
Pas përcaktimit të listave përfundimtare, nuk do të ketë asnjë mundësi që një student të ndryshojë dhomën, madje jo vetëm kaq, por as shokun ose shoqen e dhomës. Ndarja e studentëve në dhoma u bë sipas dëshirës së tyre. Ndryshimi i dhomës tani do të sillte probleme, pasi dalin shumë studentë që kanë ndërruar mendje dhe duan të ndryshojnë dhomë ose pjesëtarët e saj.
Sa do të jetë numri i studentëve në dhoma këtë vit?
Prioritet do t’i jepet që numri i studentëve në dhoma të jetë tre veta, por nëse do të ketë fluks kërkesash nga studentët për tu strehuar në bujtina numri i dhomave do të bëhet edhe me katër veta. Përveç kësaj, ka disa vajza që duan vetë të qëndrojnë në një dhomë me katër veta, pasi kështu kanë jetuar edhe vitet e mëparshme. Këto raste ne nuk mund ti ndajmë. Pikërisht për të evituar dhomat me katër veta, ne godinën numër 2 nga konvikt djemsh një vit më parë, këtë vit e kemi kthyer në konvikt vajzash. Vitin e kaluar u bë godina numër 3 konvikt vajzash. Djemtë që kanë banuar aty më parë do të kalojnë në bujtinat 28-29.
Si janë kërkesat për tu strehuar në konviktet e Qytetit Studenti deri tani?
Këtë vit ka një fluks të madh vajzash që duan të strehohen në godinat e Qytetit Studenti. Kjo vjen edhe për faktin se prindërit janë më të sigurt që vajzat e tyre të strehohen në konvikte, ku kushtet e sigurisë dhe shërbimet janë 24 orë. Ende nuk kemi një shifër të saktë se sa do të jetë numri i studentëve të rinj që do të strehohen këtë vit në Qytetin Studenti, presim përfundimin e rezultateve. Për të mësuar se sa do të jetë ky numër, ne i kemi bërë një shkresë Rektoratit të Universitetit të Tiranës që të na japë listat përfundimtare të fituesve për fituesit në universitetet e Tiranës. Jam i sigurt që mbi 2200 studentët që janë larguar këtë vit nga Qyteti Studenti pas përfundimit të studimeve, do të zëvendësohen nga studentët e rinj. Ndërsa si godina, më të preferuarat për tu strehuar janë: godina 24, 25, ku qëndrojnë studentët e Fakultetit Histori-Filologji dhe godina numër 5. Na kanë ardhur shumë kërkesa për tu strehuar në këto bujtina.
Sa do të jetë pagesa për tu strehuar këtë vit në Qytetin Studenti?
Pagesa për tu strehuar këtë vit në Qytetin Studenti do të jetë 30 mijë lekë, përfshirë këtu edhe siguracionin për dhomën. Ne jemi ndërmarrje sh.a dhe me kushtet që ofrojmë duhet ta rrisnin pak pagesën. Viti i ri akademik do ta gjejë pjesën më të madhe të godinave të rikonstruktura. Ka përfunduar rikonstruksioni i godinës 26, si dhe për dy godina djemsh. Të gjitha godinat janë pajisur me dritare dhe dyer alumini, po vendosen dushet për çdo kat. Kemi marrë të gjitha masat që procesi i regjistrimit të shkoj pa anomali. Për këtë, që te hyrja e Qytetit Studenti gjatë regjistrimeve nuk do të lejohen të futen njerëz apo makina që nuk kanë punë këtu. Por do të lejohen të futen vetëm studentët që duan të regjistrohen të shoqëruar nga familjarët e tyre.
Si do ta gjejnë studentët dhomën nëpërmjet internetit?
Të gjithë emrat e studentëve janë të afishuar në faqen zyrtare të Qytetit Studenti që është: qytetistudenti.com.
Në këtë faqe, studentët mund të klikojnë me emrin e tyre për të gjetur numrin e dhomës si dhe shoqet për vajzat ose shokët e tjerë të dhomës për djemtë.
Përcaktimi i dhomës në internet do ta ul shkallën e abuzimit?
Me këtë mënyrë sistemimi të studentëve nëpër dhoma ulet shkalla e abuzimit. Nuk do ta toleroj në asnjë mënyrë abuzimin. Studentët që vijnë këtu janë nga shtresa e mesme e shoqërisë dhe prindërit e tyre janë përpjekur tërë vitin për të siguruar pagesën e fëmijëve për në konvikt dhe unë nuk mund ta pranoj kurrsesi këtë mitmarrje. Kujdestaret që do të bëjnë mitmarrje do të ndahen keq me mua.
Kur do të futet interneti në godina?
Interneti në çdo godinë të Qytetit Studenti do të futet që këtë vit. Pajisja e studentëve me internet është një projekt i qeverisë, që siguron sjelljen e këtij shërbimi në çdo dhomë. Shërbimi i internetit do të jetë falas, por sigurimin e kompjuterave do ta bëjnë vetë studentët, pasi nuk mundet që të pajiset çdo dhomë me internet dhe kompjuter. E kam thënë dhe e përsëris: Unë do të largohem me dëshirë nga Qyteti Studenti vetëm kur të pajis studentët me internet falas.
Procedura e regjistrimit
Dokumentacioni
Dokumentacioni që nevojitet për të gjithë studentët për regjistrim dhe strehim është:
Certifikatë me fotografi personale e tre muajve të fundit (korrik-tetor 2008)
3 fotografi
Vërtetim nga Fakulteti ku ndjek studimet i firmosur dhe i vulosur
Raport mjekësor
Qiraja e strehimit për të gjithë studentët është 30 mijë lekë dhe pagesa do të kryhet kesh (me lekë në dorë)
Pagesa e qirasë
Për studentët e vitit të parë që i përkasin Qytetit Studenti pagesa e qirasë së strehimit do të bëhet pranë bujtinave përkatëse sipas degëve, ku ndodhen inspektorët regjistrues dhe arkëtarët
Për studentët e viteve 2-6 të shpallur në listë pasaportat e butinave të cilat janë afishuar studentët do ta bëjnë pagesën e qirasë së strehimit pranë:
Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) me numër llogarie 403002295 të Trajtimit të Studentëve nr.1 sh.a
Ose pranë BIS banka (Banca Italiana di Sviluppo) me numër llogarie 6937 të Trajtimit të Studentëve nr.1 sh.a
Pagesa e qirasë së strehimit mund të kryhet edhe pranë Postës shqiptare ose filialeve të saj në rrethe
24 Shtator 2008