E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndryshojnë pagat e ushtarakëve, rroga sipas vjetërsisë

21/05/2005  Meshkujt dalin në pension të parakohshëm 47 vjeç me 15 vjet punë, femrat 44 vjeç me 12 vjet punë

Në rast vdekjeje, familjet marrin pension suplementar dhe dy paga shpërblim

Parlamenti ka miratuar dje ligjin për sigurimin e pensioneve suplementare për forcat ushtarake. Sipas vendimit, pensionet do të shkallëzohen sipas vjetërsisë në shërbimin ushtarak aktiv dhe llogaritet nga data e titullimit oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa për ushtarakët, të cilët kanë kryer stazhin për oficer, nga data e fillimit të stazhit. Sipas ligjit, ushtarakët përfitojnë pagesë suplementare dhe kur sëmuren apo pushohen nga detyra për shkak të reformave. Të ardhurat e përfituara nga ky ligj nuk tatohen.

Kriteri

Paga, për efekt të përfitimeve nga ky ligj, përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit, së bashku me shtesat, që përfiton ushtaraku i së njëjtës gradë në çastin e lindjes të së drejtës së përfitimit. Për ushtarakun, që ka dalë në rezervë ose në lirim, para apo pas datës së shtrirjes së efekteve financiare të këtij ligji, dhe e drejta për të përfituar i lind pas kësaj date, paga përbëhet nga paga, së bashku me shtesat që ka ushtaraku aktiv, në po atë funksion ose gradë, në çastin që i lind e drejta për të përfituar. Për studentët e shkollave të larta ushtarake, paga është rroga e gradës më të ulët të oficerit, ndërsa për kursantët, nënoficerët, është paga më e ulët e gradës së nënoficerit. Kur funksioni ose grada, që kishte përfituesi nuk është më, ministri i Mbrojtjes, me urdhër, bën njësimin e tyre me ato funksione apo grada që janë në fuqi në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim. Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e kushteve për pension të plotë pleqërie, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit, si ushtarak, në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 44 vjeç, femrat dhe 47 vjeç meshkujt.

Llogaritja

Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet në masën 40 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, kur ushtaraku ka vjetërsi shërbimi 12 vjet, për femrat, dhe 15 vjet për meshkujt.

Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit suplementar të pleqërisë shtohet me 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë. Pensioni suplementar, në çdo rast, nuk duhet të jetë më i madh se 60 për qind të pensionit të pleqërisë. Ndërsa pensioni suplementar i invaliditetit llogaritet 2 për qind për çdo vit shërbimi në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, mbi pensionin që merr përfituesi, por jo më shumë se 50 për qind të pensionit të invaliditetit. Periudha, për të cilin ushtaraku përfiton pension invaliditeti, njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni të plotë pleqërie. Kontributi për këto kategori përballohet nga buxheti i shettit dhe derdhet mbi bazën e pagës për gradë që ka patur ushtaraku në çastin e nxjerrjes në rezervë/lirim. Ushtarakët , të cilët, nga ligje të tjera gëzojnë përfitime të veçanta mbi

pensionin e pleqërisë, kanë të drejtë të zgjidhin ndërmjet trajtimit apo ligjeve të tjera.

Dëmtimet

Ushtari i shërbimit të detyrueshëm, studenti ushtarak ose kursanti për nënoficer, i cili për shkak të detyrës ose gjatë saj pëson dëmtime trupore apo mendore dhe përfiton pension të plotë apo të pjesshëm invaliditeti, përfiton edhe pension suplementar. Masa e përfitimit suplementar të invaliditetit për ushtarin e shërbimit të detyrueshëm, studentin ushtarak ose kursantin për nënoficer është në masën 20 për qind të pagës mujore të gradës. Personat, që janë në ngarkim të ushtarakut të shërbimit aktiv, në rezervë apo lirim, që vdes apo ka vdekur, dhe që përfitojnë pension familjar, marrin pension suplementar familjar. Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar llogaritet në 50 për qind, burri apo gruaja e ve, dhe 25 për qind për çdo jetim, prind dhe çdo pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim, me kufi maksimal shumën e plotë deri në 100 për qind të pensionit suplementar, që kishte apo i takonte të merrte të ndjerit, sipas këtij ligji. Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar për ushtarakët që, për shkak të detyrës apo gjatë saj, humbasin jetën, llogaritet në vlerën 100 për qind të pagës mujore, shtesë mbi pensionin familjar. Sipas ligjit, masa e pagesës në rast vdekjeje të ushtarakut në rezervë/lirim është e barabartë me masën e trefishit të pensionit bazë mujor, në shkallë vendi. Nga ky ligj nuk përfitojnë ushtarakët e nxjerrë në lirim për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim për krime të kryera me dashje.

Në vjetërsinë në shërbimin aktiv përfshihen:

Koha e shërbimit të përhershëm (oficer, nënoficer, ushtar, profesionist/ me

pagesë).

Koha e ndërprerjes së karrierës, për shkak të një urdhri a vendimi të padrejtë, të deklaruar me vendim gjykate.

Koha e plotë e vuajtjes së dënimit ose internimit për motive politike, pas titullimit si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm, ku përfitohet sipas ligjit; Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë dhe kur kanë jo më pak se 5 vjet në strukturat e Forcave të Armatosura.

Koha gjatë së cilës ushtaraku ka shërbyer në strukturat e Ministrisë së Rendit

Publik apo Shërbimit Informativ të Shtetit.

Sigurimi i të sëmurëve dhe shpërblimi

Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm, për kohën që për arsye shëndetësore,

bëhet i paaftë për punë, merr përfitime suplementare. "Masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë llogaritet mbi pagën mesatare ditore neto të muajit të fundit kalendarik të shërbimit. 20 për qind nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim: 10 për qind për periudhën e shtrimit në spital, kur ka persona në ngarkim.

Kur paaftësia e zakonshme zgjat deri në 14 ditë, ushtaraku përfiton pagën e

plotë neto të muajit të fundit kalendarik të shërbimit. Ushtaraku, sipas përcaktimit të bërë nga komisioni mjekësor ushtarak, pranë Spitalit Universitar Qendror Ushtarak dhe situatat operacionale, gëzon të drejtën e parandalimit për sëmundje. Ministri i Mbrojtjes, me udhëzim përcakton rastet, procedurat dhe kriteret përkatëse për zbatimin e këtij neni", thuhet në vendimin e marrë me konsensusin e të gjitha forcave.

Në skemë përfshihen dhe të shkarkuarit nga viti ´92-´98

Deputetët kanë vendosur dje që nga skema e përfitimit të pensionit suplementar të përfitojnë dhe ushtarakët që janë liruar prej reformave në vitin 1992 deri në vitin 1998. efektet financiare në Buxhetin e Shtetit do të jenë 1.5 deri në 2 miliardë lekë. Kontributet shoqërore për këtë vendim do të mbulohen tërësisht nga Buxheti i Shtetit. Në amendamentin e shtuar gjatë seancës parlamentare thuhet se "periudha 01.07.1992 deri 31.12.1998 për ish-ushtarakët e dalë në reformë të njihet periudhë sigurimi për efekt pensioni të plotë pleqërie. Kontributet për këtë periudhë të derdhen nga Buxheti i Shtetit në bazë të pagës referuese të indeksuar nga momenti që ka lindur kjo e drejtë". Iniciuesi i këtij ndryshimi, Taulant Dedja, tha se një vendim i tillë do të jetë falenderimi më i mirë i Shqipërisë ndaj ushtarakëve. Propozimi është miratuar nga të gjithë deputetët që ishin prezent në seancë, ndërsa është mbështetur dhe nga përfaqësuesit e ushtarakëve në rezervë, të cilët e kanë ndjekur seancën gjatë të gjithë kohës. Në amendament parashikohet dhe indeksimi i këtyre pensioneve dhe ndarja sipas gradave. Sipas ligjeve aktuale, një kolonel i dalë në pension në vitin 1993 merr pension më pak se një kapterr, që ka dalë në pension në vitin 2004. Ndaj është parë e nevojshme që të indeksohet paga e marrë si referim për vendosjen e pensionit. Dhe ky nen ka marrë mbështetjen e deputetëve.

Skema

Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 për qind e

pagës mujore.

Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, mbi përcaktimin e mësipërm, masa

e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mujore.

Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se 70 për qind e

pagës mujore.

Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndëpritet kur ushtaraku përfitues

rikthehet në shërbimin aktiv.

Periudha, për të cilën ushtaraku përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi

shërbimi njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni të plotë

pleqërie

Përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit, si ushtarak, në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 44 vjeç, femrat dhe 47 vjeç meshkujt.

Pagat në rast të shkarkimit nga puna

Kuvendi ka parashikuar marrjen në mbrojtje të ushtarakëve në rast se lirohen nga detyra prej reformave të ndryshme. "Ushtaraku, që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nxirret në rezervë apo lirim dhe ka mbi 5 vjet shërbim në Forcat e Armatosura, merr shpërblim në masën e dy pagave bazë për gradë, sipas viteve të shërbimit, si shpërblim të menjëhershëm dhe pas këtij shpërblimi merr pagesë kalimtare, në masën 50% të pagesës që ka përfituar në çastin e daljes në rezervë apo lirim, për dy vjet". Por në këtë vendim është përjashtuar rasti kur ish-ushtaraku punësohet në një tjetër vend. "Në rast punësimi gjatë kësaj periudhe, masa e pagesës kalimtare të jetë deri në kompensimin e pagës, mbi të cilën është llogaritur kjo pagesë", thuhet në ligj. Shpërblimi do të cilësohet si periudhë e siguruar, ndërsa kontributet do të përballohen tërësisht nga shteti. "Periudha e trajtimit me pagesë kalimtare njihet si periudhë sigurimi. Kontributi për këto kategori përballohet nga buxheti i shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës, mbi të cilën është llogaritur pagesa kalimtare, por, për çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të indeksuar në koeficientët përkatës sipas viteve", thuhet në ligj.

Llojet e përfitimit

-përfitim suplementar, për paaftësi të përkohshme në punë e shërbim;

-parandalim për sëmundje;

-pagesa kalimtare, kur nxirren në lirim/rezervë;

-pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi;

-pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë;

-pension suplementar invaliditeti;

-pension suplementar invaliditeti për ushtarakët, që për shkak të detyrës bëhen

plotësisht të paaftë;

-pension suplementar familjar;

-pension suplementar familjar për ushtarakët, që për shkak të detyrës humbasin

jetën;

-pagesë suplementare në rast vdekjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›