E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema, si ranë nga 100 m lartësi punëtorët

• Kanë fluturuar në drejtim të tokës nga rreth 100 metra lartësi dhe fati i ka rregulluar rrethanat që të mbesin që të gjithë të gjallë.Ferdinand DervishiMadje fati ka bërë që një prej tyre t’i përballonte aq mirë pasojat e rënies nga kjo lartësi, sa të lajmëronte në kohën e duhur të tjerët për ngjarjen, duke bërë që të lënduarit të ishin brenda harkut të një ore, pranë ndihmës mjekësore, në Spitalin Ushtarak. Mrekullia është realizuar dje afër mesditës, rreth orës 11:30, në fabrikën e çimentos së Fushë-Krujës, teksa pesë punëtorë me nënshtetësi të përzier ishin duke pastruar oxhakun kryesor, 127 metra të lartë. Bëhet fjalë për një fabrikë me moshë të re, 2.5 vjeçare dhe ky ishte pastrimi i parë i këtij lloji, por që kërkonte një njësi të specializuar. “Erdhën nga Maqedonia punëtorët që bënin pastrimin e oxhakut. Këtu në Shqipëri nuk kishte skuadra të tilla speciale. Ndërsa pastrimi i furrës vertikale bëhet nga punëtorë të vetë fabrikës sepse është një proces i thjeshtë”, rrëfen Ardian Zela, një nga punëtorët shqiptarë të angazhuar në pastrimin e furrës horizontale të çimentos. Sipas rrëfimit të punëtorëve që lanë turnin dje pas mesdite, pesë punëtorët e specializuar për pastrimin e oxhakut të fabrikës ishin në brendësi të tij, në lartësinë më të madhe, pasi ky proces pune kryhet nga lart-poshtë. Këta punëtorë punojnë mbi skela të varura, ndërsa procesi i punës ka të bëjë me pastrimin e blozës ose zëvendësimin e tullave zjarrduruese të dëmtuara që veshin brendësinë e oxhakut vigan.  AksidentiTeksa gjendeshin në pikën më të lartë (nisur nga niveli zero, oxhaku është 127 metra i gjatë), skelat mbi të cilat punëtorët punonin janë shkëputur dhe janë rrëzuar në fund të oxhakut, rreth 100 metra më poshtë. “Kanë shpëtuar prej faktit se oxhaku i fabrikës nuk është krejt vertikal, por i përthyer në disa vende, kështu që rënia nuk ka qenë e lirë nga 100 metra, por me rrëshqitje nëpër segmentet e brendësisë së ashpër të oxhakut”, shpjegon Lulëzim Logu, një tjetër punëtor i fabrikës. Dëshmitarët si dhe të plagosurit nuk përcaktojnë shkakun e aksidentit, por fakt është se skelat janë rrëzuar menjëherë, pa u lënë punëtorëve kohë të reagonin. Jo krejt në të njëjtën kohë të pesë punëtorët dhe skelat e shpërthyera kanë përfunduar në fund të oxhakut, ku ambienti është konik, pra në formën e një hinke dhe ku bashkohet me furrën horizontale të çimentos të tipit “clinker”. Për fat, një nga të aksidentuarit, shqiptari i vetëm, Elidon Arapi, duket i rrëzuar përmbi të tjerët, nuk është dëmtuar aq sa të mos kishte mundësi të lëvizte. Në fund të oxhakut vigan, mes blozës, hekurave të skelës, ajrit të rënduar nga tymi i skorjeve dhe rënkimeve të të plagosurve, ai ka bërë veprimin më të lavdërueshëm. E ka kuptuar se askush nuk do u vinte në ndihmë, pasi askush nuk do të kishte dëgjuar gjë përsa ndodhi dhe mendimi i parë i kristalizuar në mendje ka qenë të gjente mënyrën për të kërkuar ndihmë. Dhe e vetmja mundësi të dilte ishte të ecte përmes kanalit të furrës horizontale të çimentos, edhe kjo me formën e një tubi gjigand, rreth 100 metra e gjatë. Operacioni i shpëtimitPas dhënies së alarmit, punonjësit e fabrikës së çimentos, që për fat vazhdonin të punonin edhe pse furra ishte e fikur për remont që nga data 3 mars, nuk humbën kohë me mendime të kota për nxjerrjen e të aksidentuarve. Që të ndërhyje nga gryka e oxhakut apo edhe nga furra horizontale e çimentos, ishte pothuaj e pamundur. Kështu që vendosin të shpojnë oxhakun në pikën ku gjendeshin të aksidentuarit. Disa saldatorë futen në punë dhe presin metalin veshës të oxhakut duke përdorur oksigjen. Shpejt copat e metalit u shpërthyen, të tjerë punëtorë rrëzojnë me kujdes tullat veshëse të oxhakut dhe këtu nis evakuimi i të plagosurve. “Të dëmtuarit u nisën një nga një me makinat e rastit, me ato private, të inxhinierëve e punëtorëve që gjendeshin në parkingun e brendshëm të fabrikës. Më pas erdhën edhe nja dy ambulanca. Por unë nuk do të harroj se si nga pamja e të plagosurve u ra të fikët disa personave që i mbartnin. Atë që ishte plagosur më rëndë, me një plagë të dukshme në bark, e mbajta edhe unë në krahë, madje ia mora dikujt që po i binte të fikët”, rrëfen Lulëzimi. E çara e hapur ishte rreth 20 metra mbi nivelin e tokës dhe nga aty të plagosurit mbarteshin në krahë deri rreth 50-70 metra më tej, pranë automjeteve. Dhe pikërisht kjo ndërhyrje e shpejtë bën që të gjithë të dëmtuarit të mbërrijnë në kohë në spital, nga ku tashmë raportohen pothuaj të gjithë jashtë rrezikut për jetën. te dhenatOxhaku kryesor i fabrikës, 127 metër i lartëLartësia nga ku ranë punëtorët. Vendi ku gjendeshin të rrëzuarit e dëmtuar. Aty, nga jashtë u hap një shteg për tek të dëmtuarit, duke prerë hekurin veshës të oxhakutFurra e çimentos e tipit “clinker”, rreth 100 metër e gjatëBaza e oxhakut, metali i tij u pre 15-20 metër më lartBrendësia e furrës horizontale nga doli për të kërkuar ndihmë Elidon Arapi“Ndëshkim përgjegjësve”Menjëherë pas mbërritjes së punonjësve të dëmtuar në Spitalin Ushtarak, aty ka mbërritur edhe kreu i Inspektoratit të Punës, Thoma Miço. Ai pohoi se si shkak i ngjarjes mendohej të ishte një gabim në montimin e skelës që shkaktoi edhe rënien e saj, duke plagosur 6 punëtorë. Miço pohoi se fabrika e çimentos në Fushë- Krujë është kontrolluar 7 herë më parë, kur edhe janë lënë detyrat përkatëse. Miço pohoi se, aktualisht ata po punonin në terren bashkë me policinë për të hetuar shkaqet dhe për të përcaktuar përgjegjësit e aksidentit. Miço pohoi se pas hetimit të kryer ata do të merrnin edhe masat konkrete për përgjegjësit e aksidentit. Gashi: Skela u shkëput papritur nga montimiBesim Gashi, 37 vjeç, është një nga 6 punëtorët e  aksidentuar mesditën e djeshme gjatë remontit që kishte nisur të kryhej në oxhakun e furrës së fabrikës së çimentos.Dashamir Biçaku 37-vjeçari shqiptar nga Shkupi i Maqedonisë, ka mbërritur mesditën e djeshme në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve, ai ka pasur plagë të rënda me fraktura në kokë, gjymtyrë dhe shembje të organeve të brendshme. Pas një ndërhyrjeje nga mjekët kirurgë në Spitalin Ushtarak, gjendja e tij është përmirësuar dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. Dje pasdite ai ka kaluar nga salla e vëzhgimit të mjekëve në pavijonin e kirurgjisë. Edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, Besim Gashi ka pranuar të tregojë momentet e rrezikut të kaluar prej tij dhe kolegëve të tjerë pas rrëzimit nga skela, në oxhakun e furrës së fabrikës së çimentos. Besim, çfarë ndodhi që u rrëzuat?Ne po punonim në oxhak për të zëvendësuar pjesët e dëmtuara të tij, pllakat zjarrduruese dhe për të pastruar skorjet. Ndjeva një rrëshqitje dhe më pas kërcitje. Skelat mbajtëse të montuara në oxhak nisën të binin poshtë me shpejtësi. Si ranë skelat, a mundët të kuptonit se ku qe gabimi?Ato u shkëputën nga njëra-tjetra në mënyrë të menjëhershme në momentin që po punonim për pastrimin e skorjeve dhe pllakave në oxhak, në seksionin “Cikloni”, kur ato u shqitën. Ne punonim në një lartësi prej rreth 30 metrash, dhe punën e nisim nga lart. Në fakt, nuk e kuptova me saktësi se si ato u shkëputën dhe ranë. Nuk e di se edhe ku mund të ketë qenë problemi, sepse ato ishin montuar një ditë përpara se ne të nisnim punën për remontin e oxhakut. I kishin montuar ekspertët e firmës maqedonase. Mbani mend se cili ra i pari prej jush?Ishim të gjithë duke punuar dhe thuajse të gjithë njëherësh kemi rënë. Nuk mbaj mend nëse kam rënë unë i pari apo kolegët e mi, por di se ata kanë rënë thuajse bashkë në të njëjtën kohë me mua dhe kam ndjerë për një moment kur po bija se kisha dhimbje. Më pas nuk ndjeva asgjë. Kisha rënë pa ndjenja dhe pashë se isha në spital. Sa ditë keni që po punoni në këtë oxhak?Sot(dje) ishte dita e parë e punës. Sapo kishim nisur të kryenim remontin dhe pastrimin e oxhakut të furrës dhe të të gjithë furrës. Kishim realizuar një pjesë të mirë të punës për sot dhe na mbetej të punonim edhe pak për sot. Pastaj nesër (sot) do të nisnim sërish.Mjekët: Pacientët mbërritën në gjendje të rëndë TIRANE- Mesditën e djeshme, rreth orës 13:10, kanë mbërritur 6 personat e dëmtuar në fabrikën e çimentos së Fushë-Krujës. Ata mësohet se janë transportuar me automjete të rastit për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Në urgjencën e spitalit ata kanë mbërritur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe menjëherë u janë nënshtruar ekzaminimeve të nevojshme mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve të tyre. Për më tepër se 1 orë, në mënyrë të njëpasnjëshme, ata u janë nënshtruar ekografive, grafive etj. I pari që i është nënshtruar këtyre ekzaminimeve ka qenë maqedonasi Llazi Stavemkovski. Pas tij është ekzaminuar edhe Dankan Rodherford (Duncan Rotherford). Gjendja e tyre, sipas mjekëve, ka qenë më e rëndë, ndërsa Ali Sabah dhe Besim Gashi kanë qenë në gjendje të rëndë, por pa probleme shëndetësore. Ndërkaq Layth Jevernat dhe Elidon Arapi, dy të aksidentuarit e tjerë, sipas mjekëve, kanë qenë jashtë rrezikut për jetën dhe kanë pasur vetëm dëmtime të lehta. Mekaniku maqedonas, dëmtime të rënda në kokëLlazi Stavemkovski, me profesion mekanik me shtetësi maqedonase, me banim në Shkup, ka marrë dëmtime të rënda në kokë, shembje të organeve të brendshme dhe fraktura në gjymtyrë, shpatulla dhe në kraharor. Për mjekët, problemi më i madh ka qenë dëmtimi që Stavemkovski kishte marrë në kokë, pasi sipas tyre ai kishte marrë një frakturë të rëndë që i kishte shkaktuar hapjen e një pjese të kockës së kokës. Drejtori i Spitalit Ushtarak, nënkolonel Bedri Mihaj, tha dje për mediat se gjendja e tij është tepër e rëndë dhe një ndërhyrje në tru e neurokirurgëve qe tepër e vështirë. Sipas Mihajt, Stavemkovski duhej të transportohej për mjekim më të specializuar në ndonjë klinikë shëndetësore jashtë vendit. “Gjendja e tij është e vështirë dhe nevojitet një trajtim më i specializuar”. Shefi pavionit të traumës dhe urgjencës, dr. Fatos Olldashi, ka folur me rezerva dje për gjendjen e punëtorit maqedonas. Anglezi rëndë, por jashtë rrezikut për jetën Dankan Rodherford, anglezi i aksidentuar dje në Fushë-Krujë, sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak në kryeqytet ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, por duke u stabilizuar. Sipas mjekëve reanimatorë, gjendja e tij ka ardhur duke u stabilizuar. Ai ka marrë dëmtime të rënda në kokë dhe trup, ashtu si pacientët e tjerë, Ali Sabah dhe shqiptaro-maqedonasi Besim Gashi. Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, atyre u është dashur të kryejnë ndërhyrje të pjesshme në trupin e britanikut, pasi gjendja e tij ishte jo e mirë dhe rëndohej për shkak të një operacioni që ai kishte kryer në zorrë që në Angli. Ky i fundit, në profesion ekspert kimist, pasditen e djeshme ka nisur të përmirësohet dhe ka qenë me ndërgjegje gjatë kalimit të tij nga salla e vëzhgimit e mjekëve në dhomën nr.9 të një prej pavionëve të kirurgjisë. Personeli mjekësor në një pjesë të mirë të kohës ka qëndruar pranë pacientëve, Besim Gashi, Ali Sabah, Layth Jevernat, e në mënyrë të veçantë maqedonasit Stavemkovski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›