E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon çmimi i analizave te Nënë Tereza

Drejtoria spitalore vendos rregull, afishon listat e kostove për çdo ekzaminim dhe analizë

Në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, me fillimin sistemit të referimit, kanë nisur të zbatohen edhe tarifat e reja të ekzaminimeve, analizave laboratorike dhe të vizitave. Në bazë të një urdhri të ministrit të Shëndetësisë kërkohet që tarifat e reja të vihen në zbatim në të njëjtën kohë kur nisi edhe sistemi i referimit.
Drejtoria e QSUT-së, duke u bazuar edhe në ligj, por edhe në një rregullore të brendshme, ka vendosur që këto të ardhura dytësore, të cilat do të vilen nga ekzaminimet dhe analizat, do të përdoren për investime në infrastrukturë dhe pajisje, si dhe në barna.
Sipas drejtorit të QSUT-së, Ilir Dashi, këtë vit për herë të parë do të ketë një mënyrë të re të furnizimit të pavijoneve me barna, sipas kërkesave që ato kanë. “Në fillim të këtij viti, çdo pavijon ka marrë një formular, ku do të plotësojë barnat bazë që i nevojiten, si dhe nevojat më urgjente që ka në aparatura dhe në investime. Kërkesat e tyre do të plotësohen me paratë e grumbulluara nga buxheti i shtetit, por edhe nga të ardhurat dytësore. Kështu, 30% e këtyre të ardhurave do të shkojnë për investime në infrastrukturë dhe 40% për mallra, kryesisht për medikamente. Aktualisht, me këto të ardhura janë bërë investime me një kosto të konsiderueshme, pikërisht, blerja e llambës së një skaneri, i cili nuk funksiononte, shtrati i aparaturës së kobaltit te Spitali Onkologjik dhe riparime ambientesh”, sqaroi drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.
Sipas rregullores së këtij viti, shefat e pavijoneve kanë pasur për detyrë të hartojnë listën e medikamenteve më të rëndësishme. Ndërkohë, me të ardhurat dytësore do të përballohen kërkesat urgjente për medikamente dhe materiale mjekësore. Po kështu në projektet e Drejtorisë së QSUT-së janë edhe një sërë investimesh në infrastrukturë. Për këtë të fundit aktualisht është hartuar një plan-veprimi, i cili do të zbatohet si në territoret e brendshme të pavijoneve, ashtu edhe jashtë spitaleve.
“Kemi hartuar planin e veprimit të investimeve në infrastrukturë, me zbatimin e tij, QSUT-së do t’i jepet një tjetër imazh ambientit spitalit dhe funksionimi do të jetë i rregullt duke përfshirë këtu parkingje, ambiente të gjelbëruara”, nënvizoi Dashi. Sipas tij, ky plan-veprimi, do të nisë të realizohet duke përdorur një pjesë të të ardhurave dytësore dhe buxhetin e parashikuar për këtë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›