Të ardhurat nga turizmi, Shqipëria e para në Mesdhe
Ky rezultat bazohet në renditjen e vendeve mesdhetare dhe Shqipëria ka zënë vendin e parë, duke ia kaluar edhe disa shteteve shumë të njohura si destinacione me turizëm të lartë, siç është Greqia, Spanja apo Turqia. Në një konferencë për shtypin, z. Ylli Pango, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve përgëzoi të gjithë aktorët që përpiqen dhe ndikojnë në këto arritje. Ai tha se “kjo është në të mirën e të gjithë shqiptarëve, për rritjen e ekonomisë”
Ndryshimet domethënëse që janë bërë në Shqipëri e kanë renditur vendin tonë në një nga destinacionet më atraktive të rajonit për sektorin e turizmit dhe sipas Organizatës Botërore të Turizmit, Shqipëria ka rritjen më të madhe të të ardhurave nga turizmi. Nëpërmjet këtij sektori që kontribuon në mënyrë konkrete për mirëqenien e ekonomisë, Shqipërisë i jepet gjithashtu mundësia për t’u njohur në skenën ndërkombëtare dhe për të përmirësuar imazhin e saj. “Me përpjekjet e mëdha të bëra vitet e fundit, vendi ynë ka njohur një sërë rezultatesh pozitive si në bilancin e tij financiar, ashtu edhe në shifrat e vizitorëve që janë gjithmonë e më shumë në ngritje”, - njofton Ministria e Turizmit, duke iu referuar të dhënave të bëra publike nga Organizata Botërore e Turizmit. Vetëm për periudhën janar-15 shtator 2008 numri i turistëve është rreth 2.158.394 dhe duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kanë hyrë 403.602 mijë vizitorë më tepër. Kjo shifër ka kaluar numrin e vizitorëve për të gjithë vitin 2007.
Të ardhurat nga turizmi
Përsa i përket të ardhurave, sipas analizave të barometrit të Organizatës Botërore të Turizmit, vendi ynë ka njohur një periudhë piku në tremujorin e tretë të vitit 2007. Përqindja e të ardhurave në euro për këtë periudhë krahasuar me të njëjtën kohë për vitin 2006, është 63%. Ky rezultat bazohet në renditjen e vendeve mesdhetare, dhe Shqipëria ka zënë vendin e parë, duke ia kaluar edhe disa shteteve shumë të njohura si destinacione me turizëm të lartë, siç është Greqia, Spanja apo Turqia. Në një konferencë për shtypin, z. Ylli Pango, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve përgëzoi të gjithë aktorët që përpiqen dhe ndikojnë në këto arritje. Ai tha se “kjo është në të mirën e të gjithë shqiptarëve, për rritjen e ekonomisë”. Ylli Pango, shtoi gjithashtu se “nëse do i referoheshim dinamikës së zhvillimit të vitit 2008, gjatë 6–mujorit të parë do të shënonim se rritja në përqindje e të ardhurave në USD, e këtij 6-mujori krahasuar me të njëjtën periudhë të 2007 është 38%, duke shënuar kështu shifrën më të lartë në krahasim me të gjithë vendet e rajonit të Mesdheut - Izraeli 41.8, Serbia 24.4%, Sllovenia 14.7. Po shënoj këtu se 6-mujori i parë nuk përfshin tre muajt e pikut të verës”.
Bilanci gjeneral
Ministri komentoi gjithashtu bilancin gjeneral të turizmit. Në vitin 2000, rezultatet e të ardhurave nga vizitorët e huaj ishin 389 milionë USD, ndërsa në vitin 2006 dhe 2007 ato shënoni respektivisht shifrat 1010 USD dhe 1367 USD. Me anë të misionit ICITAP, po instalohen në rrjet të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe teknologjia i bën shifrat e publikuara shumë ekzakte. Sipas statistikave të MTKRS, bazuar në standardet dhe definicionet e Organizatës Botërore, për periudhën janar-15 shtator 2008, numri i vizitorëve me nënshtetësi të huaj është 1.042.907 dhe numri i vizitorëve me nënshtetësi shqiptare të ardhur nga jashtë është 1.115.487. Sipas këtyre të dhënave, turizmi shqiptar ka marrë një zhvillim të dukshëm dhe ka pasur veçanërisht një bum turistik gjatë periudhës 8-mujorit të 2008-s.