Industrialistët: Puna e zezë, të rriten dënimet financiare
Industrialistët janë kundër propozimit të kreut të qeverisë, Sali Berisha, që puna e zezë të klasifikohet si vepër penale. Komuniteti i industrialistëve është kundër punësimit të punëmarrësve pa i siguruar ata, por nuk pranon që nëse nuk zbatohet kjo, të dënohet duke u penalizuar ligjërisht. Konfindustria i propozon qeverisë një sërë masash të tjera për të luftuar informalitetin. Një ndër to do të ishte rritja e dënimeve financiare për subjektet që punësojnë njerëz pa i siguruar ata. Konfindustria mbështet nismat e deritashme të ndërmarra nga ekzekutivi për rritjen e shkallës së formalitetit të tregut të punës si pjesë përbërëse e rëndësishme e uljes së domosdoshme të evazionit fiskal në ekonominë vendore, njëkohësisht shpreh kundërshtimin e saj për klasifikimin e punësimit të pasiguruar si “vepër penale” për punëdhënësin. Konfindustria mendon se mënyra më e mirë për të bërë të mundur realisht dhe pa kosto ekonomike në zhvillimin afatgjatë të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, është para se gjithash nxitja dhe mbështetja e nismave sipërmarrëse dhe jo goditja psikologjike e tyre me masa të skajshme, siç është edhe përpjekja për të konsideruar në ligj si vepër penale për punëdhënësin puna e pasiguruar për punëmarrësit. Është e pambështetur, që një marrëveshje kontraktore ndërmjet palëve e arritur me vullnet të plotë të konsiderohet me ligj si vepër penale për njërën palë. Konfindustria e quan një vendimmarrje të tillë të dëmshme në një kohë kur vendi është në kushtet e një papunësie mjaft të lartë, kur informaliteti është mjaft i zgjeruar, sistemi i drejtësisë është i dështuar, kur autoriteti i shtetit nuk ushtrohet në të njëjtën shkallë e mënyrë në gjithë hapësirën gjeografike të vendit, kur konkurrenca ndërmjet subjekteve është e cunguar, si dhe kur zhvillimi ekonomik i Shqipërisë është ende mjaft i ulët krahasimisht me BE-në. Konfindustria thekson se nxitja dhe jofrenimi qoftë edhe psikologjik i sipërmarrjes, është domosdoshmëri. Konfindustria këshillon vendimmarrësit politikë se rruga më e mirë për të arritur formalizimin e tregut të punës dhe ekonomisë shqiptare në përgjithësi, është së pari ulja e shkallës së taksës së punës. Sipas tyre, zbritja e saj në shkallën 15% e pritur të hyjë në fuqi në janar të vitit 2009 është mjeti mjaft i mirë dhe plotësisht i përshëndetur. Industrialistët propozojnë rritjen e shkallës të dënimeve financiare për subjektet që punësojnë në të “zezë”, si dhe zbatimi i plotë i tyre.
Nga ana tjetër, ata theksojnë domosdoshmërinë e zgjerimit të ushtrimit të kontrollit të shtetit në të gjithë hapësirën gjeografike të vendit dhe pa dallim ndërmjet subjekteve. Konfindustria kërkon përmbushjen deri në fund të nismës së përshëndetur të krijimit të Gjykatës Administrative të pavarur nga ekzekutivi dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi, e cila do t’i vinte në ndihmë biznesit dhe do të zgjidhte shumë çështje.
Nga ana tjetër, ata theksojnë domosdoshmërinë e zgjerimit të ushtrimit të kontrollit të shtetit në të gjithë hapësirën gjeografike të vendit dhe pa dallim ndërmjet subjekteve. Konfindustria kërkon përmbushjen deri në fund të nismës së përshëndetur të krijimit të Gjykatës Administrative të pavarur nga ekzekutivi dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi, e cila do t’i vinte në ndihmë biznesit dhe do të zgjidhte shumë çështje.