E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria ushqimore, kontrolle edhe në restorante e hotele

22/04/2011  Ndjekje penale për subjektet që abuzojnë me falsifikimin e librezës shëndetësore

Krahas subjekteve të ndryshme që tregtojnë produkte ushqimore, objekt i kontrolleve për plotësimin e kushteve higjieno-sanitare dhe pajisjes me lejet përkatëse do të jenë edhe baret, restorantet, si dhe hotelet. Lajmi është komunikuar gjatë ditës së djeshme nga kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik, Mëhill Gecaj, sipas të cilit të gjitha këto subjekte duhet detyrimisht që të pajisen pranë këtij institucioni me librezat e shëndetit dhe lejen sanitare që legjitimon ushtrimin e aktivitetit. Në rast të mosgjetjes së këtyre dokumenteve, subjekti do të ndëshkohet me gjoba, dhe në raste të tjera do të operohet edhe me dhënien e propozimeve për mbylljen e aktivitetit dhe me ndjekje penale. “Të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime të tilla, sidomos në zonat turistike, duhet të kenë kujdes për pajisjen me dokumentacion të posaçëm për ushtrimin e këtij aktiviteti. Nga Inspektorati Sanitar Shtetëror nuk do të tolerohet as edhe një subjekt, asnjë lokal, asnjë hotel, asnjë bar apo restorant”, ka deklaruar Gecaj. Megjithatë, bëhet e ditur se gjatë muajve të shkuar nga monitorimet e kryera janë evidentuar edhe raste të falsifikimit të librezave shëndetësore, për të cilat Gecaj bën me dije se është procedura me ndjekje penale për abuzuesit. Më tej ai ka shtuar se në ndryshim nga vitet e shkuara, pajisja me libreza shëndetësore ka pësuar ndryshime, të cilat kanë të bëjnë me shtimin e numrit të analizave që subjektet përkatëse duhet të realizojnë për të garantuar konsumatorët që janë frekuentues të ambienteve të tyre. Për t’u pajisur me librezën përkatëse, subjekti duhet të paraqitet pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik duke plotësuar dokumentacionet e kërkuara. Kështu nuk do të jenë më inspektorët ata që do të çojnë librezat te subjektet. Nga të dhënat rezulton se vetëm gjatë muajit që kemi lënë pas janë pajisur me libreza shëndetësore plot 1500 subjekte të ndryshme të këtij lloji, janë lëshuar 350 leje higjieno-sanitare, si dhe janë ndërmarrë edhe 28 masa administrative me gjobë. “Është subjekti i cili paraqitet vetë pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe Inspektoratit Sanitar për t’u pajisur me librezë shëndetësore dhe nuk është më inspektori i cili ia çon. Në të gjitha rastet e konstatimit të shkeljeve që janë bërë nga ana e inspektorëve për lëshimin dhe pajisjen me libreza të personave apo subjekteve të ndryshme janë marrë masat administrative”, ka pohuar Gecaj.

Një tjetër çerdhe i shtohet kryeqytetit

Rama inauguron çerdhen e re të Kinostudios

Kryeqytetit i shtohet një çerdhe e re, pranë të cilës do të edukohen rreth 80 fëmijë të vegjël të moshave nga një në tre vjeç. Çerdhja e ngritur me fondet e bashkisë do t’u vijë në ndihmë komunitetit të banorëve në Kinostudio. Investimi i realizuar me fondet e Bashkisë së Tiranës kap vlerën e 18 milionë lekëve dhe zë një hapësirë prej 300 metrash katrorë. Sipas të dhënave të bëra nga zyrtarët e bashkisë, pohohet se vetëm gjatë dy viteve të fundit në kryeqytet janë ndërtuar dhe rikonstruktuar pesë çerdhe dhe pesë kopshte për të vegjlit. I pranishëm në inaugurimin e çerdhes ishte dhe kreu i bashkisë, Edi Rama, që ka konfirmuar vijimin e mëtejshëm të revolucionit në infrastrukturën e kryeqytetit. "Transformimi i çerdheve dhe i kopshteve të kryeqytetit është një ritual i përmuajshëm dhe i përvitshëm, ndërkohë që me çdo bebe fillon edhe kujdesi i bashkisë me ‘çekun e bebes’, të cilin e përfitojnë rreth 6 mijë bebe në vit”, ka pohuar Rama. Nismës për shtimin e ambienteve edukuese për të vegjlit do t’i nënshtrohen edhe zona të tjera të kryeqytetit.

Hyn në ditën e nënte greva e para e tetraplegjikëve

Një tjetër grevist dërgohet në spital, asnjë reagim nga institucionet

Ka hyrë tashmë në ditën e nëntë greva e urisë së nisur prej para dhe tetraplegjikëve, por nuk shihet ende asnjë reagim zyrtar ndërmjet tyre dhe institucioneve që do të bënte të mundur mbylljen e grevës. Shëndeti i protestuesve ka ardhur duke u rënduar gjithnjë e më shumë, çka ka bërë që të tkurret edhe numri i personave që do të vijojnë protestën deri në plotësimin e kërkesave ekonomike. Për shkak të komplikacioneve të rënda shëndetësore, gjatë ditës së djeshme një tjetër grevist është dërguar në spital. Konkretisht bëhet fjalë për 51-vjeçarin Adem Demushi, i cili është dërguar me urgjencë në ambientet e spitalit, për shkak se vuante edhe nga veshkat. Në kërkesat e paraqitura dikastereve qeveritare kjo shtresë ka kërkuar rritjen e pagesave, të cilat do të sigurojnë kushte më të mira jetese. Sipas tyre, qeveria duhet të marrë masat për rritjen e përfitimit të karburantit që kjo shtresë duhet të marrë në muaj, përkatësisht të shkojë në 80 litra. Po ashtu ata kanë kërkuar edhe rritjen e pagesës së paaftësisë sipas pagës minimale 10200 lekë, nga 9000 lekë që marrin aktualisht, rritjen e përfitimit të paketës higjieno-sanitare në vlerën 30000 lekë në muaj, respektimin e ligjit “për të drejtën e strehimit”. Kundrejt rëndimit të mëtejshëm të gjendjes, gjatë ditës së djeshme kanë reaguar edhe ambasada Britanike dhe Këshilli Britanik në Shqipëri. Diplomatët britanikë kanë kërkuar nga palët që të angazhohen në dialog konstruktiv për të zgjidhur shqetësimet e tyre. “Është përgjegjësi e qeverisë dhe shoqatave me aftësi të kufizuar për të arritur këtë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›