E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon ligji për shoqërinë civile

07/12/2011  Ambasadori i BE-së, Sekui: Shoqëria Civile ka nevojë për mbrojtje, ruajtje dhe promovim

Bode: Do rregullohen marrëdhëniet financiare mes shoqërisë civile dhe administratës

Ndryshimet në ligjin për shoqërinë civile do të prezantohen deri në fund të këtij muaji nga Ministria e Financave. Sipas numrit 1 të Financave, Ridvan Bode, në këtë draft që është ende në përpunim e sipër do të rregullohen marrëdhëniet financiare mes shoqërisë civile dhe administratës shtetërore. Deklarata është bërë nga vetë ministri Bode gjatë fjalës që mbajti në seminarin “Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm për organizatat e shoqërisë civile”. Ministri i Financave theksoi se me gjithë kërkesën e organizatave të ndryshme për heqjen e pagesës së TVSH-së, ato do të vazhdojnë të jenë subjekt i kësaj pagese. Ky seminar është organizuar nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë. Në seminar ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Etore Sekui, dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth.

Apeli për mbështetje

Ambasadori Arvizu apeloi për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve, një nismë, që jo vetëm do të bashkonte në bashkëpunim kampet politike, por edhe do të mundësonte një lehtësi të mëtejshme për rritjen e transparencës institucionale. Ndërkaq, sipas ambasadorit Ettore Sequi gjendja e shoqërisë civile në vend është një tregues i rëndësishëm për gjendjen e demokracisë në vend. “Në një demokraci të shëndetshme, shtetasit organizohen në grupe - OJQ, sindikata tregtare apo të punës, shoqata, etj, në mënyrë që të adresojnë nevojat dhe interesat e tyre në mënyrë të vazhdueshme, për të bërë që qeveria tu shërbejë atyre vazhdimisht”, - tha Sequi. Në lidhjet dhe angazhimet me vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas tij, mbështet i njëjti shpirt qeverisjeje. Ai shtoi se, ideja e përbashkët në rajon, por edhe në BE është se shoqëria civile ka të drejtën të dëgjohet. “Ne jemi së bashku sot për të parë se si mund të zbatohet kjo e drejtë praktikisht, cilat janë kushtet e nevojshme që shoqëria civile të ushtrojë këtë të drejtë", theksoi Shefi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Sequi. Ai tha se Progres Raporti i këtij viti, ashtu si dhe ai i vitit të shkuar, ka vend për përmirësim si për dialogun, ashtu edhe për konsultimet me aktorët e shoqërisë civile gjatë procesit legjislativ.

Fondet e BE-së nuk janë subjekt i TVSH-së

Sipas Sequi-t, në Progres Raport ngrihen shqetësime rreth kuadrit fiskal dhe mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet OJQ-ve dhe njësive të qeverisjes vendore në dhënien e shërbimeve sociale. “Ne besojmë se gjendja e shoqërisë civile është një gur prove për gjendjen e demokracisë. Ne besojmë se është e nevojshme që shoqëria civile të merret seriozisht. Ne besojmë se Shoqëria Civile ka nevojë për: mbrojtje, ruajtje dhe promovim”, deklaroi Sequi. BE-ja ka ofruar më shumë se 5 milionë euro fonde për shoqërinë civile në Shqipëri në vitet e fundit. Ambasadori Sequi shprehu besimin se eksperienca praktike me aktorë të shoqërisë civile do të jetë me përfitim për të qartësuar disa aspekte të këtij debati. “Së pari, nevoja për më shumë qartësi në trajtimin fiskal dhe detyrimet e OJQ-ve”, - tha Sequi, duke shtuar se në bazë të Marrëveshjes Kuadër të programit IPA, fondet e BE-së nuk janë subjekt i TVSH-së. Prandaj, vijoi Sequi projektet e financuara nga BE, të cilat zbatohen nga shoqëria civile apo kompani të ndryshme, nuk janë subjekt i TVSH-së dhe detyrimeve të tjera të ngjashme. Një tjetër çështje e ngritur nga Sequi ishte bashkëpunimi ndërmjet OJQ-ve dhe pushtetit lokal në ofrimin e shërbimeve sociale. "Shumë OJQ, me financim nga BE-ja ose nga donatorë të tjerë, ofrojnë vazhdimisht shërbimeve në sektorin e shëndetësisë, ndihmë për arsimimin e grupeve të rrezikuara, atyre me aftësi të kufizuara, dhe pakicave. Ky është një kontribut i pasur dhe shpesh i pazëvendësueshëm në mirëqenien e popullatës”, - theksoi ai. Megjithatë, nënvizoi Sequi, në rastet kur OJQ-të mund të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime bazuar në burimet nga pushteti lokal, ata i nënshtrohen të njëjtave rregulla të prokurimit si një biznes normal, me detyrimin për të paguar taksat dhe të gjitha dispozitat e tjera përkatëse. “Ajo që ne do të donim të shihnim është promovimi i një koncepti të "Ndërmarrjeve Shoqërore" ku duhet njohur specifika e organizatave jofitimprurëse dhe procedurat specifike të përcaktohen për ndërveprimin e tyre me administratën publike", u shpreh ambasadori i BE-së në Tiranë. Ai bëri të ditur se një grup OJQ-sh ka përgatitur dhe dorëzuar tek homologët përkatës në qeveri, një projektligj mbi “Ndërmarrjen Shoqërore”, ndërsa komentet do të ishin të mirëpritura. Sipas Sequit, specifika e organizatave jo-fitimprurëse duhet të njihet siç duhet, me përshtatjen e kuadrit ligjor me standardet ndërkombëtare. Cilësia e shoqërisë civile, cilësia e veprimit qytetar në këtë vend është edhe një pasqyrim i aftësive dhe angazhimit të të gjithëve në adresimin e këtyre çështjeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›