E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një pedagog mbikëqyrës për qeveritë studentore

Studentët duan një pedagog, që të shërbejë si interlokutor mes tyre dhe stafit akademik. Me anë të një propozimi të nënshkruar nga qeveria studentore e Fakultetit të Histori-Filologjisë, këshilli i fakultetit është njohur me kërkesën e re të studentëve. Ata përfaqësohen në çdo fakultet nga një organizëm i pavarur, që quhet qeveri studentore. Në më të shumtën e rasteve, këto struktura gjenden në vështirësi për plotësimin e kërkesave të tyre, ndaj edhe kërkojnë një pedagog mbikëqyrës. Zakonisht, kërkesat e studentëve lidhen me datat e provimeve, me sponsorizime për aktivitete etj. Për të lehtësuar punën e tyre me shefat e departamenteve apo dekanit, ata kërkojnë të kenë një pedagog përgjegjës për ta. Qeveritë studentore u zgjodhën më 10 janar, njëkohësisht me zgjedhjet universitare për dekanë dhe rektorë. Ata përfaqësohen edhe në senatin e UT-së, që është kolegji drejtues i universitetit. Çdo fakultet ka një qeveri studentore. Roli i tyre është shpeshherë i diskutueshëm. Madje, kreu i Arsimit, Genc Pollo, është shprehur pak kohë më parë se "qeveritë studentore duhet të luajnë rolin e tyre pa u përdorur nga dekanët e fakulteteve". Këto struktura ku duhet të aderojnë studentët numërojnë pak anëtarë dhe nuk kanë shumë kompetenca. Një nga shkaqet e rolit të tyre të vakët, sipas përfaqësuesve të qeverive studentore, janë edhe fondet e vogla në dispozicion të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›