Ndryshon statuti i PD për kandidaturat
01/02/2005 Ndryshimet që do t'i bëhen statutit të PD-së në Kuvendin Kombëtar pritet të prekin kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të kryesisë qendrore dhe të degëve. Burime në PD shprehen se një ndër pikat më të debatueshme të përzgjedhjes së kryetarëve është dhe futja në konkurrim në Kuvendin Kombëtar, apo konferenca e degëve me sistemin e 5 përqindëshit të firmave të delegatëve. Sipas këtij kriteri, çdo anëtar i partisë ka të drejtë të futej në konkurrimin për anëtar kryesie, në rast se mblidhte 5 për qind të firmave të delegatëve në Kuvend apo konferencë dege. Si pasojë, shumë herë votimi për anëtarët e Kryesisë së partisë bëhej në bazë të "tifozëve", që kishte çdo kandidat në sallë dhe jo në bazë të cilësisë apo vlerave që ai përfaqësonte. Me ndryshimet në statut, konkurrenti për anëtar i Kryesisë së PD-së është i detyruar që të mbledhë më parë firmat e delegatëve të konferencës apo kuvendit dhe më pas t'i dërgojë kërkesë për shqyrtim Kryesisë ekzistzuese. Vetëm pas shqyrtimit të kandidaturës dhe përzgjedhjes atje, konkurrenti ka të drejtë të hyjë në garën e votimit për anëtar të Kryesisë qendrore në Kuvendin Kombëtar apo i kryesive së degëve në konferencë.