E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, zhduken gjatë natës tabelat me emrat e rrugëve

Tabelat e grabitura nga adoleshentët

Arrestohen në flagrancë tre të rinj: Do ti shisnim për skrap.

Firojnë brenda natës tabelat e emërtimit të rrugëve të Vlorës. Tre adoleshentë i kanë shkulur ato nga vendet e vendosura nga Bashkia, me qëllim që ti shisnin për skrap. Por, veprimtaria e tyre kriminale është zbuluar falë një kontrolli rutinë nga një patrullë policore në Vlorë. Lëvizja në mesnatë e mjetit, brenda të cilit ndodheshin tre adoleshentët, ka tërhequr vëmendjen e bluve, të cilët gjatë muajve të fundit janë në vigjilencë të plotë për verifikimin e kapjen e personave të kërkuar dhe elementëve të tjerë kriminalë. Të rinjtë me inicialet K.R., L.T.  dhe E.M., të tre 17-vjeçarë, të tre nga Vlora, i janë bindur tabelës së Policisë, e cila i bënte shenjë të ndalonte. Ata po lëviznin pas mesnate pranë Parkut të Urbanëve në Vlorë. Nga kontrolli i ushtruar në mjetin e tyre tip Fiat, policia zbuloi në bagazh 36 tabela të ndryshme me përbërje bakri, të cilat ishin shkulur prej tyre në vendet e vendosura nga Bashkia për emërtimin e rrugëve të qytetit të Vlorës. Arrestimi i këtyre shtetasve është kryer pasi janë kapur në flagrancë në vendin e quajtur Ish-Parku i Tregtisë, nga shërbimet e Policisë nën drejtimin e një automjeti tip Fiat Panda pa targa dhe pa dokumente, në bagazhin e të cilit ndodheshin 36 tabela (prej bakri), emërtuese të rrugëve të qytetit të Vlorës, të cilat personat e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kishin hequr në zonën e Drejtorisë së Pyjores Vlorë, me qëllim shitjen e tyre për skrap, bëri të ditur Policia e Vlorës. Mësohet se pas arrestimit, tre të rinjtë kanë deklaruar se i kishin hequr tabelat e emërtimit të rrugëve për qëllime përfitimi. Ata do ti shisnin më pas në pikat e grumbullimit të hekurishteve. Ata akuzohen për vjedhje të pasurisë publike për qëllime përfitimi. Vjedhjet e tabelave të emërtimit të rrugëve të qytetit janë konstatuar edhe herë të tjera, por nuk ishin kapur autorët. Dyshohet se autorët janë të njëjtët, megjithatë Policia bëri të ditur se do të hetohet. Rasti më i fundit i vjedhjes së tabelave ndodhi 10 ditë më parë. Në disa lagje të Vlorës, gjatë natës ishin shkulur tabelat e rrugëve, por policia nuk arriti ti zbulonte autorët.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›