Në 10 ditë kapen 24 të kërkuar
12/01/2005 Policia e Shtetit kap në 10 ditë 24 persona në kërkim. Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale dhe shumica e tyre janë prangosur nga uniformat e kryeqytetit. Ndue Nikolli, Preng Nikolli, Fatmir Tusha dhe Astrit Isufi, ishin shpallur në kërkim për veprën penale të vrasjes dhe plagosjes. Nikolli dhe Tusha ishin dënuar me 15 dhe 10 vjet burg, Isufi me 2 vjet e 8 muaj, ndërsa Preng Nikolli me arrest në burg. Ata akuzohen për vepra të rënda, kryer pak vite më parë dhe, nuk kishin rënë asnjëherë në duart e policisë. Tafil Xhogu, Kreshnik Halili dhe Albert Rapushi ishin shpallur në kërkim për grabitje. Ndërsa ndaj Xhogut dhe Halilit ishte dhënë dënimi me 6 muaj dhe 1 vit burg, Rapushi ka marrë masën e sigurisë "burg pa afat në mungesë". Ata vijnë nga Lushnja, Kukësi dhe Tirana. Zëdhënësja saktëson se 6 nga lista e të kërkuarve që janë vënë në pranga gjatë këtij 10-ditëshi, akuzohen për dezertim nga ushtria. Dy prej tyre vijnë nga qyteti i Vlorës, ku togat e zeza të Gjykatës Ushtarake kanë dhënë për ta përkatësisht 6 dhe 5 muaj burg. Gazmend Arapi dhe Laert Bregasi, që të dy nga 25 vjeç, janë larguar nga repartet. Në Tiranë janë dënuar sakaq dhe dy të rinj të tjerë nën këtë akuzë. Ata janë Afrim Bulla, 21 vjeç dhe Eduart Avdia, 25 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka dënuar me 5 dhe 3 muaj heqje lirie për veprën penale “dezertim nga ushtria”. Besnik Gjoka nga Shkodra dhe Ylber Kaloshi u arrestuan gjithashtu për shmangie të shërbimit ushtarak. Ata qenë dënuar me 1 muaj dhe 10 ditë burg. Andrea Forja dhe Bardhok Sula kërkoheshin për armëmbajtje pa leje. Ishin dënuar me 2 vjet dhe 8 muaj heqje lirie. Artan Luka dhe Bledi Mehmeti kishin shkelur rregullat e qarkullimit rrugor dhe qenë larguar nga vendi i aksidentit. Ata rezultonin të dënuar nga gjykata. Sherik Qema dhe Hysni Karameta kërkoheshin për kundërshtim të forcave të rendit. Nexhat Mlloja kërkohet për dhënie të ndihmës në kalimin e kufirit, Flamur Bodurri për falsifikim dokumentesh, Edmond Pashja për mashtrim, Fatos Arifi për moskallëzim krimi. Më pak mëkatari nga të kërkuarit ishte Përparim Mesi, i cili akuzohet për prerje të paligjshme të pyjeve.