Nisen për në atdhe, 33 të burgosurit në Kroaci
12/01/2005 TIRANË –Një autobus me udhëtarë të sapo dalë nga greva e qelive, ka lënë pas tikën kroate mbrëmjen e djeshme dhe është drejtuar për në Shqipëri. 33 shqiptarë, që mbaheshin në burgjet e Kroacisë për kalim të paligjshëm të kufirit, do të riatdhesohen. Besohet se ata do të mbërrijnë në Tiranë rreth mëngjesit të ditës së sotme. Lajmi konfirmohet për gazetën ”Metropol”, nga zyra e Avokatit të popullit Ermir Dobjani në Tiranë. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, problemi i 33 shqiptarëve që mbaheshin në Kroaci është zgjidhur. Ky fakt, i është konfirmuar dje Avokatit shqiptar të Popullit, Dobjani, nga homologu i tij kroat, Jurica Miçiç. Sipas komunikimit mes dy homologëve, autoritetet kroate kanë liruar nga burgu 33 shqiptarët dhe i kanë nisur ata me një autobus drej Shqipërisë. Javën e shkuar, bashkëkombasit tanë që mbaheshin në Kroaci, filluan një protestë brenda qelive, për shkak të keqtrajtimeve që ishin bërë ndaj tyre. Me grevën e tyre në burg, ata kundështonin edhe mbajtjen në qeli jashtë afateve të përcaktuara nga ligji, për veprën penal të kalimit të paligjshëm të kufirit. Sipas burimeve nga Avokati i Popullit, shqiptarët mbaheshin në kampin e refugjatëve në afërsi të Zagrebit, edhe pasi kishin shlyer dënimet e dhëna ndaj tyre nga drejtësia vendase, për akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit. Një javë më parë, agjencitë ballkanike të lajmeve, publikuan protestën e shqiptarëve në kampin kroat. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e mediave dhe institucioneve të Tiranës. Avokati i Popullit Ermir Dobjani, u kërkoi autoriteteve kroate, zbatimin e të drejtave të shqiptarëve dhe riatdhesimin e tyre në Shqipëri.