“Nuk ka fonde për mbrojtjen e dëshmitarëve”
12/01/2005 Një ekspert i Paktit të Stabilitetit, për krimin e organizuar në Evropën Juglindore, u ka pohuar mediave të Brukselit se, mbrojtja e dëshmitarëve në vendet e Ballkanit është një sfidë e drejtësisë së këtyre shteteve. Sipas ekspertit të angazhuar në kuadër të Paktit të Stabilitetit, dëshmitarët janë të rëndësishëm jo vetëm për të ndërtuar procese gjyqësore që garantojnë dënimin e kriminelëve, por edhe për të siguruar gjykim të drejtë dhe zbardhjen e ngjarjeve. “Ne e dimë se mbrojtja e dëshmitarëve është një gjë, e cila kërkon shumë fonde dhe infrastrukturë. Shumica prej vendeve të rajonit të Ballkanit, nuk kanë arritur të bëjnë diçka në këtë fushë, pikërisht për shkak të mungesës së mundësive financiare. Por, nëse aplikimi për azilim politik, ndryshimi i identitetit dhe vendbanimit, operacionet plastike apo truprojat, janë një gjë e cila kërkon fonde, vendet e Ballkanit kanë mundësi t'i mbrojnë dëshmitarët në disa mënyra të tjera”. Njëra prej tyre, thotë eksperti, është marrja e deklarimeve të dëshmitarëve në distancë, duke ia bërë të ditur identitetin e tyre vetëm gjykatës dhe jo publikut dhe keqbërësve. Kjo është një praktikë, e cila është zbatuar vetëm dy herë në Maqedoni”, nënvizon eksperti për krimin e organizuar pranë Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.