E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr te Ministria e Jashtme

12/01/2005  Zjarri përfshin ish-zyrën e legalizimeve te Ministria e Punëve të Jashtme. Përpjekjet e punonjësve si dhe ndihma e zjarrfikëses që mbërriti në vendin e ngjarjes pak minuta më pas, neutralizuan situatën, duke shmangur dëmet. Hamendësohet se zjarri u shkaktua nga një problem në rrjetin elektrik te kondicioneri i zyrës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të rënies së zjarrit.

Ngjarja

Rreth orës 11.00 të së djeshmes, në sallën operative të shërbimit të zjarrfikësve u dha alarmi për praninë e një zjarri te Ministria e Jashtme. Burime policore bëjnë të ditur se, një automjet zjarrfikës shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes për të ardhur në ndihmë. Ish-zyra e legalizimeve, që gjendet në katin përdhes të dikasterit të diplomacisë, përballë me Ministrinë e Ekonomisë, qe përfshirë nga flakët. Zjarrfikësve u erdhën në ndihmë dhe punonjësit e Ministrisë. Në pak minuta situata u normalizua, duke u shmangur dëme të mëdha materiale. E megjithatë, mësohet se janë dëmtuar një pjesë e konsiderueshme e dokumenteve që gjendeshin aty. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit, dyshojnë se flakët janë përhapur nga një problem në rrjetin elektrik, nga ku furnizohej kompjuteri. Nuk është hera e parë që në Ministrinë e Punëve të Jashtme bie zjarr. Pak muaj më parë, zjarrfikëset u lajmëruan për një vatër flakësh në katin e tretë të këtij dikasteri. Burimet u shprehën asokohe se, zjarri shpërtheu në zyrën e OKB-së në selinë diplomatike shqiptare. Fatmirësisht, punonjësit kontribuan për shuarjen e flakëve, duke përdorur bombulat e emergjencës, derisa mbërritën zjarrfikësit. Kësisoj, bilanci i dëmve qe thuajse i pallogaritshëm. Veç disa mobilieve të zyrës, nuk pati dëme në dokumentacion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›