E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria e Tiranës regjistron 120 dosje

12/01/2005  Prej datës 5 janar deri dje, në Prokurorinë e Tiranës janë regjistruar 120 kallëzime penale nga policia, për ngjarje të ndodhura gjatë festave të fundvitit. Organi i akuzës i ka filluar dje hetimet për një pjesë të mirë të këtyre dosjeve, të cilat prej disa ditësh janë mbajtur në polici. Dosjet penale me provat e para për të gjitha ngjarjet e ndodhura, i janë përcjellë organit të Prokurorisë nga policia gjatë këtyre ditëve, me qëllim nisjen e hetimeve zyrtare. Sipas policisë së kryeqytetit, gjatë fundvitit në Tiranë kanë ndodhur 129 vepra penale, 80 për qind të të cilave janë vjedhje, ndërsa pjesa tjetër janë grindje apo konflikte të ndryshme dhe aksidente, fajtorët dhe shkaktarët e të cilave do të gjenden nga Prokuroria. Ky regjistrim i vonuar i këtyre dosjeve bëhet pasi, në funksion të mbylljes së punës për vitin 2004, Prokuroria e Tiranës vendosi shtyrjen e afatit për pranimin e kallëzimeve penale në datën 25 dhjetor 2004. Ky vendim u mor me qëllimin për të mos ngarkuar me dosje të tjera hetuesit dhe prokurorët që do të mbaronin hetimet e dosjeve të vitit të shkuar. Prokuroria e Përgjithshme, nuk e ka konfirmuar këtë veprim të organit të akuzës së kryeqytetit. Në datën 5 janar, Prokuroria e kryeqytetit ka vendosur të pranojë kallëzimet penale dhe të parat që janë regjistruar kanë qenë dosjet që ndodheshin në polici për ngjarjet e fundvitit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›