Në 14:00 votohen në Parlament, ministrat e rinj

Ministrat e rinj në kabinetin qeveritar, Aldo Bumçi dhe Eduart Halimi, të cilët u dekretuan sot nga presidenti Bamir Topi, do të votohen në seancën parlamentare në orën 14:00.
Ka qenë kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ai i cili në emër të grupit ka kërkuar votimin e ministrave të rinj në këtë orar. Dy ministrat e rinj, Eduart Halimi tek Drejtësia dhe Aldo Bumçi tek MTKRS, janë përzgjedhur dy ditë më parë nga kryeministri Berisha.
Ata sot kanë marrë firmën e presidentit dhe do të votohen në Parlament dhe më pas do të bëjnë betimin në Presidencë.
Aldo Bumçi zëvendëson në krye të MTKRS, Ferndinand Xhaferrin, ndërsa Eduart Halimi zëvendëson në krye të Drejtësisë, ministrin Bujar Nishani, i cili u transferua tek Ministria e Brendshme, vend i lënë bosh nga Lulzim Basha, pas kandidimit të tij për kryetar në Bashkinë e Tiranës.