E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Në ’90 nuk u ngritët për të zëvendësuar Pali Miskën me Luan Memushin”

31/01/2005  

“Pro-Helvetia”, bën bashkë Edi Ramën e Artan Haxhin

SHKODËR – “Pro-Helvetia”, fondacioni kulturor, organizoi dje takimin mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe atij të Shkodrës, Artan Haxhi, si dhe intelektualëve të Shkodrës. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Rama vuri në dukje se, “duhet të jetosh në Shkodër për ta ndjerë deri në kockë realitetin e këtij qyteti. Qyteti që vjen nga tradita të shkëlqyera ekonomike, politike, kulturore dhe sportive, është katandisur si një nga qytetet më në vështirësi e plot sfida në jetën e përditshme. Po ti referohemi shifrave, ato flasin vetë. Papunësia në Shkodër e shprehur në shifra, është e njëjtë si në Tiranë, ndërkohë që kryeqyteti, ka 4 herë më shumë popullsi. Është e kotë të flitet për investime publike, pasi ato janë qesharake. Fuqia e pushtetit vendor është e kufizuar, megjithatë, Shkodra ka potenciale të një trashëgimie kulturore e cila duhet aktivizuar patjetër. Në këtë qytet ka shumë monumente kulturore, por tani janë fshehur pas ngrehinave. Shkodra po paguan koston më të lartë të transformimeve shoqërore. Ajo po mbahet peng për shkaqe të ndryshme, ku bie në sy indiferenca e frikshme e njërit krah dhe paaftësia e krahut tjetër. Pra, Shkodra është produkt i indiferencës dhe i paaftësisë. Duhet patjetër të hartohet një politikë kombëtare me fonde ekstra, për zhillimin e qyteteve të mëdha”. Duke analizuar kontributin e madh dhe të çmueshëm që dha qyteti i Shkodrës në transformimet e viteve 90, Rama u shpreh se, “sikur punonjësit e sigurimit të shteti në vitet ‘90, t'ju nxirrnin fotot se si do të ishte Shkodra në 2005, ju me siguri do të ishit kthyer në shtëpitë tuaja, sepse asnjë prej jush nuk sakrifikoi atëherë për një Shkodër si kjo e sotmja. Sepse nuk u luftua atëherë për të zëvendësuar P. Miskën me L. Memushin dhe po të mendohemi, mund të gjejmë edhe emra të tjerë të politikës, për të bërë krahasime”. Ndërsa, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Artan Haxhi, u shpreh se, ”rezultojnë 54 për qind të papunë në qytet dhe shifra e bizneseve të falimentuara, ka arritur në 700, ndërkohë që numri i bizneseve që operojnë është 351, ku shumica i përkasin biznesit të vogël”.

Ai theksoi se, “investimet janë aq të pakta sa, deri tani, kemi mundur vetëm të bëjmë riparime rrugësh e asnjë shtrim të plotë rruge”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›